Lluka: Ndërprerja e rrymës shkak i mbingarkesës, KEDS-i mund të gjobitet nëse ka reduktime pa arsye

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 08:07 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Muajt e fundit ndërprerjet e energjisë janë ashpërsuar duke lënë kështu pa rrymë disa zona përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, i tha Ekonomia Online se ndërprerja e energjisë sidomos për komunën e Drenasit, Fushë Kosovën dhe një pjesë të Prishtinës është bërë për shkak të mbingarkesës.

“Ne e kemi organizuar një takim, i kemi taku gjithë akterët kryesor dhe situata është raportuar të jetë stabile me përjashtim të 2-3 zonave  siç është Fushë Kosova, Drenasi dhe një pjesë e Prishtinës, për arsye se tash do të investohet që të përmirësohet edhe kjo, po për këtë dimër vetëm janë bërë disa investime fillestare në mënyrë që ta shpërndajnë mbingarkesën, por nuk është stabile dhe mund të ketë ndërprerje nëse ka mbingarkesë të madhe në këto pjesë, përndryshe për momentin është stabile”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për momentin situata është stabile dhe nuk ka ankesa, derisa shtoi se është angazhuar bashkë me KEDS-in dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, për të monitoruar ndërprerjet.

Kreu i MZhE-së thotë se edhe këtë dimër furnizimi i qytetarëve me rrymë do të jetë jostabil.

“Situata është më mirë është më stabile, nuk kemi ndërprerje, nuk kemi ankesa. Unë jam mundu që me qenë më transparent më i hapur me qytetarët e Kosovës përmes medieve sociale kanë kërkuar që secili të më shfrytëzoj mua për të ngrit vetëdijen tek KEDS edhe tek zyra e rregullatorit të energjisë për ndërprerje të energjisë elektrike që po ndodhin në vendet e ndryshme dhe ky mekanizëm ka funksionuar mjaft mirë sepse me të vërtetë ka pas ankesa të shumta, edhe të gjithë e kanë shpreh në media sociale tek unë dhe aty e kemi angazhuar drejtpërdrejt edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për t’i shikuar dhe monitoruar ato ndërprerje”.

Madje nëse vërtetohet se KEDS-i ka ndërprerë rrymën pa ndonjë arsyetim, mund të gjobitet deri në 45 mijë euro, raporton EO.

“Arsyeja pse e kom bë këtë është se ndërprerjet mund të ndodhin për disa arsye, mund të ndodhin ndërprerje për shkak të mbingarkesës, ndërprerje për shkak të ndonjë prishje dhe mund të ketë ndërprerje kur i rrezikohet siguria e rrjetit të energjisë. Këto të tria janë të arsyetueshme dhe nuk penalizohet KEDS-i për këto ndërprerje mirëpo nëse bënë ndërprerje për shkak të reduktimeve që KEDS vetë ka dëshiruar me bë”.

“… rastet e tilla kur verifikohet një gjë e tillë atëherë KEDS-i penalizohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me një gjobë më duket është diku deri në 45 mijë euro për rast dhe këtë për ta ngritur vetëdijen kemi dashtë ta mobilizojmë të gjithë së bashku, pra qytetarët, zyra e rregullatorit, unë edhe KEDS-i që ta shikojmë se si është”, tha ai.

 

Të ngjashme