Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka vizituar komunën e Ferizajt dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliun.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se në këtë takim me kryetarin Aliun diskutuan për problemet e komunës së Ferizajt, siç janë infrastruktura energjetike dhe ndërmarrjet publike, raporton Ekonomia Online.
“Ne takimin që patëm diskutuam për disa tema ku disa prej tyre janë ujërat e zeza për qytetin e Ferizajt, për të cilën kushton 25 milionë euro dhe financohet nga fondet e huaja, por do të ketë kontribut edhe nga Qeveria dhe Komuna. Ne presim që ky projekt të fillojë punën në Ferizaj, për të cilin iu është dhënë një afat kohor deri në fund të muajit qershor, por mund të përfundojë edhe më herët”, tha Lluka.
“Në infrastrukturën energjetike ne u zotuam që të bashkëpunojmë më afër me KEDS-in dhe KOST-in, sepse duhet të rriten kapacitetet energjetike në qytetin e Ferizajt, sepse ekonomia e këtij qyteti është kontribuesi i dytë në vend pas komunës së Prishtinës”, shtoi Lluka.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu falënderoi ministrin Lluka për mbështetjen dhe gatishmërinë e tij dhënë ndaj projekteve në këtë komunë, raporton EO.
“Tema që është lënë anash për një kohë të gjatë është çështja e trajtimit të ujërave të zeza dhe projektet e tilla janë zhvilluar në qytete të ndryshme dhe ne u dakorduam që Ministria e Zhvillimit Ekonomik të mbështes projektin që do të bëhet për trajtimin e ujërave të zeza”, tha Aliu.
Aliu tha se MZhE u zotua që KEDS dhe KOST të kenë ndërhyrjen e duhur për energji cilësore në vend, sepse kërkesa kryesore e bizneseve është që të kenë energji stabile dhe kapacitete të sigurta të furnizimit me energji, raporton EO.
“U dakordum që në bazë të buxhetit që kemi të mbështesim kompanitë publike dhe më vjen mirë që jemi në të njëjtën vijë sa i përket ndryshimit të mentalitetit të funksionimit të kompanive publike që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe për arritjen e cilësisë”, tha Aliu.