Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka paralajmëron reforma për zvogëlimin e shpenzimeve të ndërmarrjeve publike, për shkak se nga 16 ndërmarrje publike, vetëm 6 prej tyre kanë operuar me fitim.
Krejt kjo bazuar në një raport që ministri ka porositur që të hartohet pas monitorimit të gjendjes në këto ndërmarrje.
Raporti ka kaluar në Qeveri, ndërsa Kuvendi pritet që të diskutojë për raportin e performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016, raporton Ekonomia Online.
Pasi që shpenzimet kalonin parashikimet Lluka thotë se ka ndaluar marrjen e bonuseve dhe shpenzimet e paarsyeshme si udhëtimet e drekat zyrtare.
“Në momentin që e kemi marrë raportin e kemi analizuar e kemi parë që është situata jo e mirë i kemi dërguar në Qeveri i kemi kaluar, i kemi dërguar në parlament dhe kjo normalisht është parë si një vepër pozitive me kryer një transparencë”.
“Unë në momentin që i kam analizuar raportet e kam parë që ka shpenzime të jashtë kontrollueshme dhe kam dërguar vendim për dy gjëra, e para e kam ndalu marrjen e bonuseve nëpër borde dhe e dyta, i kam ndalu shpenzimet e pa arsyeshme të udhëtimeve, drekave zyrtare.
“Prandaj këto janë masa fillestare, këto janë suspendim i rregullave të operimit në ndërmarrje publike e deri sa të marrim një vendim final të përgjithshëm normalisht ku parashihet tash me ligjin e ri për ndërmarrjet publike që jemi në proces e sipër që ta kalojmë në parlament, prandaj nuk kam qëndruar pa lëvizje në këtë aspekt”, tha ai.
Lluka përmendi humbjet në Telekom që sipas tij, janë të paarsyeshme. Por edhe për këtë ndërmarrje janë parashikuar masa, zbatimi i të cilave do të fillojë pasi bordi të jetë funksional në fillim të muajit prill, raporton EO.
“Duhet shumë më tepër me u bë, duhet me u bë reforma në zvogëlimin e shpenzimeve sepse nëse një ndërmarrje si Telekomi fillon me operuar me humbje jashtëzakonisht të madhe atëherë edhe nëse Telekomi duhet të subvencionohet nga buxheti i Kosovës, atëherë kemi bërë një punë jashtëzakonisht të keqe”.
“Telekomi i Kosovës ka operuar me humbje në vitin 2016, pritet që e njëjta gjë të ndodhë edhe në vitin 2017 sepse ka jashtëzakonisht humbje të mëdha dhe duhet të ndërmerren masa në uljen e shpenzimeve operative. Jemi në pritje të bordit, kemi disa plane, por pa u realizuar bordi i postës atëherë është vështirë të realizohen ato ndryshime”.