Lluka: Shpronësimet në Hade e Shipitullë do të kushtojnë deri në 27 milionë €

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 12:05 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, tha se shpronësimet në Hade dhe Shipitullë do të kushtojnë nga 23 deri në 27 milionë euro.

Lluka ka sqaruar se ende nuk është e qartë sa saktësisht do të kushtoj shpronësimi ngase disa familje nuk janë deklaruar për mënyrën e kompensimit, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, e gjithë kjo shumë do të sigurohet nga vet KEK-u dhe nuk do të ketë implikime buxhetore për Qeverinë.

Këto komente ai i bëri në konferencën e fundvitit me gazetarë, raporton EO. Ministri tha se sot blloku B2 i cili ka kapacitet prej 230 MW energji ka filluar punën.

“Lajmi i fundit ka qenë shpronësimi në Shipitullë, zgjidhja e problemit, ngase Kosovën e ka mbajtur pengë qe dy vjet, ku ka shkaktuar shumë e shumë humbje, e miliona euro humbje për arsye të mos marrjes së vendimeve nga qeveria e kaluar për zgjidhjen e këtij problemi. Një problem shumë i madh, sepse këtu ka pasur mos insistim në zgjidhjen e problemit nga shumë instanca të ndryshme”.

“Por fatmirësisht ky problem u zgjodh para dy ditësh, tash KEK-u ka filluar me ekskavatorët në përdorim dhe sa për informata sot në orën 3.00 të mëngjesit kemi marr lajmin nga drejtori i KEK, se ka filluar funksionimin edhe blloku B2.

Ai shtoi se projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, do të tenderohet në vitin 2018.

“Sa i përket projekteve, energjia ka qenë temë e vitit 2017, projekti kryesor që ka qenë dhe lajmi i fundit është ‘Kosova e Re’ me nënshkrimin e kontratës komerciale me kompaninë ‘Contour Global’, një kontratë prej 1.3 miliardë euro investim, tërësisht privat, 30 për qind do të jetë pronë në formë të ekuitetit, pra direkt investim i kompanisë dhe 70 për qind në formë të kredisë”.

Lluka ka bërë me dije se në muajin shkurt ose mars të vitit të ardhshëm do të fillojnë me zbatimin e masave të energjisë efiçiente në 10 ndërtesa publike.

“15 milionë euro do të investohen në vitin 2018 për gypa për ngrohje qendrore. Kemi studimin e fizibilitetit për ngrohtoren e qytetit të Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Ferizaj”.

Për sa i përket ndërmarrjeve publike, 11 prej tyre kanë operuar me humbje, dhe sipas ministrit Lluka, nëse vazhdohet kështu do të jetë barrë e rëndë edhe për Qeverinë.

“Duhet të bëjmë çmos dhe është një ndër prioritetet e vitit 2018, që të bëhet ristrukturimi i ndërmarrjeve publike në mënyrë që të paktën t’i eliminojmë humbjet dhe nëse s’ka fitim, të paktën të mos jenë barrë e buxhetit të Kosovës. Çka është me rëndësi, është se kemi marr vendim që t’i ndalojmë bonuset nga anëtarët e Ndërmarrjeve Publike”, tha Lluka.

Po ashtu ai ka thënë se deri në qershor, Trepça do të ketë bordin, statutin, regjistrimin e Trepçës si shoqëri aksionare, menaxhmentin si dhe vlerësimin e rezervave minerare.

Ai përmendi edhe prioritetet e MZhE-së për vitin 2018: Programi për implementimin e Strategjisë së Energjisë 2017-2026, funksionalizimi i bursës së energjisë me Shqipëri, burimet e ripërtërishme, liberalizimi i qasjes, funksionalizimi i plotë i Trepçës si dhe vlerësimi i rezervave minerare të kësaj ndërmarrjeje.

Të ngjashme