Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar në Postën e Kosovës, por ka premtuar se do të bëjnë të pamundurën për të gjetur zgjidhjen.
Para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Lluka tha se Posta e Kosovës gjendet në rrethana shqetësuese, për shkak të zvogëlimit të shitjes në vitet e fundit, raporton Ekonomia Online.
“Posta e Kosovës, si shumica e ndërmarrjeve të tjera, ka një gjendje shqetësuese për shkak të qarkullimit dhe zvogëlimit të shitjes viteve të fundit”, theksoi Lluka.
“Rreth 80% e qarkullimit është në paga. Nga ana tjetër, është shërbimi universal postar. Edhe me ligj parashihet që mund të subvencionohet nga qeveria apo aksionari në këtë rast”.
“Për t’i ndihmuar Postës në pagesën e pagave, kam kërkuar që Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të bëjë një vlerësim të kostos universale postare”.
“Sa i përket tre mujorit të parë të këtij viti, ka pasur një rënie edhe në shitje. Aktualisht 4.5 milionë euro merr posta nga telekomi. Nëse nuk paguan ose zvogëlon qiranë, ndikon negativisht”.
“Telekomi dhe bordi ka marr vendim për zvogëlimin e qirasë, mirëpo ka pasur pakënaqësi. Janë disa gjëra që duhet të vendosen, që ta favorizojmë postën dhe ta sigurojmë mbijetesën”, tha ai.
Kryesuesi i bordit, Halit Isufi, ndërkaq, pohoi se Posta ka probleme të mëdha me uljen e shërbimeve të Telekomit.
“Përkundër pagesave dhe vështirësive, jemi detyruar që të shpërndajmë skemat sociale përmes bankave. Jemi e vetmja ndërmarrje publike shtetërore që kemi ulur pagat, kemi filluar nga shefi ekzekutiv, ku kemi ulur 30% deri tek punëtorët”.
“Kemi ndërmarrë veprime që kemi menduar se ndikojnë pozitivisht. Këto muajt e fundit kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha, për shkak të uljes se shërbimeve të telekomit”, tha Isufi.
Drejtori i Postës, Sejdi Hoxha, vlerwson se Posta e Kosovës është në gjendje të rëndë dhe nëse nuk arrihet të sigurohen mjetet për paga, mund të përballen me veprime sindikale”.
“Që nga 2012 kemi probleme financiare. Për atë jemi obliguar të reduktojmë borxhe dhe të rrisim të hyrat. Mos mbulimi universal postar është një shqetësim i yni. Këto janë probleme të trashëguara që nga ministrat tjerë. Jemi në një situatë jashtëzakonisht të rendë dhe nëse nuk bëhet rimbursimi i mjeteve nga shërbimi universal postar posta s’mund t’i rimbursojë pagat dhe pastaj mund të përballemi me veprime sindikale”, vlerësoi Hoxha.
Deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami, është shprehur e shqetësuar me numrin e madh të punëtorëve në këtë ndërmarrje.
“Ulja e shpenzimeve, pavarësisht asaj që folëm, duke parë edhe pagën mesatare, që është shumë më e madhe se çdo shërbyes publik, lenë për të dëshiruar. Duhet të kemi më shumë sqarime për shpërndarjen e skemave sociale”.
“Në postë janë 1009 puntorë dhe në vitin e fundit janë pranuar 49 puntorë dhe në një gjendje, si të kësaj ndërmarrjeje, nuk do të kishte qenë gabim fare që të pensionuarit të mos zëvendësohen, sepse 1009 punëtorë janë të mjaftueshëm”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se Posta duhet të përmirësojë shërbimet ndaj konsumatorit.
“Nuk mundet një ndërmarrje të ketë rezultat pozitiv nëse 80% e buxhetit i shkon në paga. Do të ishte më mirë të kishte diversitet të produkteve, në mënyrë që të siguronte fitim më të madh. Posta duhet të përmirësojë shërbimet e saj”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online.