Përhapja e pandemisë së Coronavirusit ka bërë që në mbarë botën të ndalohen aktivitetet sportive. Dhe, në kohën kur po bëhen thirrje për izolim në tërë botën shkaku i Coronavirusit, në Bjellorusi po vazhdon jeta normale.
Madje Federata e Futbollit e Bjellorusisë tashmë ka konfirmuar se as që po e mendon pezullimin e kampionatit, ani pse vendi tashmë është prekur nga koronavirusi, me rreth 100 raste.
Premier League e Bjellorusisë e nisi edicionin javën e shkuar, kurse do të vazhdojë me ndeshje edhe këtë javë, në kuadër të xhiros së dytë dhe atë me praninë e tifozëve në tribuna, transmeton Koha.
E pjesë e këtij kampionati është edhe sulmuesi me prejardhje nga Istogu, Azdren Llullaku, që luan te ekipi Shakhter Soligorsk. Llullaku sikurse pjesa tjetër e futbollistëve që luajnë në këtë kampionat po habiten me faktin që ende garat nuk janë ndërprerë.
Në fakt, kampionati i Bjellorusisë është i vetmi në botë që po vazhdon të luhet, pavarësisht situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit. Sa është e çuditshme për Llullakun, është edhe unike që të jetë pjesë e një lige që tashmë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës. Në fakt, deri para një jave për këtë kampionat as që ka folur dikush jashtë Bjellorusisë.
“Kur e gjithë bota ka ndërprerë kampionatin e futbollit, tek ne po luhet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Madje, këtu pothuajse fare pak flitet për përhapjen e koronavirusit edhe pse ka tashmë raste të konfirmuara me këtë pandemi. Po shpresoj që autoritetet e vendit të kenë të drejtë me këtë vendim, pasi po shohim dhe po lexojmë për çdo ditë se çfarë po ndodh në vendet e tjera”, ka pranuar Llullaku. “Të luash në këto kushte kur e gjitha bota po e lufton këtë pandemi, sa është e rrezikshme është edhe unike. Jemi liga e vetme në botë që po luajmë dhe jemi në qendër të vëmendjes”.
Ai pranon se është i preokupuar me këtë situatë, duke pasur parasysh se familjen e ka në Itali, njërin prej shteteve më të prekura të Evropës nga Coronavirusi.