Llumnica: KEDS-i një kilovat e blen 2.95 cent, e shet 6.74 cent – Qytetarët thonë se Qeveria Kurti u ngut me këtë vendim

Prishtinë | 01 Pri 2023 | 08:55 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka nxitur pakënaqësinë e qytetarëve, si dhe reagimin e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Për këtë shtrenjtim, kryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica ka fajësuar KEDS-in, i cili rrymën nga KEK-u e blen me çmim shumë më të vogël sesa çmimi të cilin e paguajnë qytetarët.

Llumnica ka treguar për EO se një kilovat, KEDS e blen për 2.95 cent, ndërsa e shet 6.74 cent.

Ai për këtë ka kritikuar qeverinë se po u ndihmon pikërisht oligarkëve, për të cilët ishte shprehur kundër kur ishte në opozitë.

“Ne e vlerësojmë jo mirë, për arsye se KEK-u prodhon dhe ka një çmim jashtëzakonisht simbolik që e shet kilovatin 2.95 cent, kurse KEDS e shet tek qytetarët 6.75 cent. Ne më herët këtë subjekt politik, që tani është në qeveri, e kemi pas me plotë gojën: ‘oligarkët, oligarkët’, por sot po iu ndihmon oligarkëve, por jo edhe prodhimit”.

Nga shtrenjtimi i çmimit, sipas Llumnicës po favorizohet KEDS-i si një “oligark”.

“Ne kemi një çmim që ndoshta KEK-u nuk do mund të prodhonte po mos të kishte eksportin nga viti i kaluar, nuk do të mundte ta mbulonte koston e prodhimit të energjisë elektrike. Kurse për KEDS-in po bëhet një ngritje e çmimit, pra po favorizohet operatori ekonomik KEDS, një operator privat, një oligark”, tha Llumnica.

Ai tha se fajtor për rritjen e tarifave është mos-shkëputja e kontratës së KEDS-it, pasi që ka diferencë të madhe në çmim.

“Fajtor për rritjen e këtyre tarifave është ajo që nuk i shkëputet kontrata KEDS-it, se në rast se do t’i ishte shkëputur kontrata KEDS-it, ne e kemi një diferencë në çmim, që ajo diferencë që i dhurohet për shërbim KEDS-it mund të kalojë tek KEK-u dhe Kosova asnjëherë nuk do të ketë probleme për energji elektrike, qoftë edhe kur ka nevojë për import”, tha Llumnica.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte të kthehet Elektro Kosova aty ku ka qenë, tek KEK-u sepse ne e shohim se KEDS ka shumë shkelje të kontratës dhe ka të drejtë plotësisht t’i shkëputet kjo kontratë në mënyrë që edhe mos të rritet çmimi enormë. Nuk po themi se nuk do të rritet çmimi por jo aq sa nuk e përballojnë qytetarët. Ka mundësi që t’i shkëputet kontrata me KEDS-in dhe të kaloj Elektro Kosova tek KEK-u ashtu siç ka qenë. Udha mbarë i qoftë, shumë më mirë mund të bëhet”, tha Llumnica për EO.

Të mllefosur me shtrenjtimin e rrymës, për të dytën herë brenda 12 muajsh, janë shprehur edhe qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online. Ata thanë se një shtrenjtim i radhës i energjisë elektrike është i papërballueshëm e se si i tillë nuk është dashur të ndodhë.

Hasan Ramadani tha se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike, qeveria është ngutur me këtë vendim.

“Tash në këtë kohë është pak e vështirë se me gjendjen ekonomike nuk jemi mirë, rrogat nuk na i rritën, pensionet nuk janë rritur. Është dashur që edhe pak të mos ngutet Qeveria, pa u rritë pensionet e të gjitha. Që 15 vjet nuk kemi pas asnjë rritje për të ardhura. Pa rrymë nuk bëhet asgjë, e rëndon se po bëhen shumë harxhime, po bëhen harxhime goxha të mëdha, po nuk kemi çka me bë tash shteti i ka në dorë”, tha ai.

E një tjetër qytetar, Selim Kadrijaj, me një shembull interesant, tha se energjia elektrike që është shfrytëzuar muajve të dimrit, duhet të paguhet tani.

“Në kohën kur kam qenë unë fëmijë, 10-12 vjet atëherë kanë qenë në modë ‘pastërmat’ dhe kush kishte para e blente. Të tjerët, ata të varfrit që nuk kishin e merrnin me borxh, e në në pranverë duhet të kthehej borxhi e ata bëheshin pishman që e kishin marrë. Edhe ne dimrit e kemi shfrytëzuar, tash duhet ta paguajmë. Çdo gjë që shtrenjtohet për qytetarët është i dëmshëm, se të ardhurat janë të vogla, dikush nuk ka fare e pensioni i vogël. Kryesorja, nuk na pyesin neve”, tha Selim Kadrijaj.

Ndërkaq, Ukshin Peci tha se është dashur të analizohet më mirë situata para se të merrej vendimi për rritjen e çmimit të tarifave.

“Gjithçka mund të ndodhë. Po varet sa harxhojnë, janë disa minimume që duhet t’i harxhojë çdo familje sigurisht. Nuk e di, nga tjetër kush duhet të varet nga ajo, duhet bërë shumë analiza që të konstatohen a ka nevojë të rritet apo jo, sepse nuk bën kështu me e rritë kaq ose kaq, ose me e zvogëluar. Duhet të bëhen analiza në detaje që të vijmë tek ato informatat e nevojshme, a ka nevojë të rritet apo jo”, tha Ukshin Peci.

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në mbledhjen e Bordit ka marrë vendim për rritjen e tarifave për 15% duke filluar nga 1 prilli.

Të ngjashme