Liderët institucionalë kanë ndërmarrë një ofensivë diplomatike në përpjekjen e “minutave të fundit” që Kosova të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.
Nëpërmjet aktiviteteve brenda e jashtë vendit, po mundohen të përçojnë mesazhe tek vendet e Bashkimit Evropian se e kanë përnjëmend luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke kërkuar që Kosovës t’i hiqen vizat, shkruan sot Koha Ditore.
Por shumë prej vendeve të BE-së, përfshirë shtetet në të cilat Kosova ka llogaritur mbështetje, tashmë kanë ndarë mendjen duke shfaqur qëndrim hezitues për futjen e kësaj çështjeje në agjendën e Këshillit të Ministrave, në fillim të dhjetorit.
Si arsyetim është përmendur mungesa e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe rreziku nga rritja e numrit të azilkërkuesve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë të hënën në takimin e ftuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, me liderët e tjerë të Ballkanit, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës. Pjesë e tij ka qenë edhe komisari evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.