Logoja e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e prezantuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, rezulton të jetë e kopjuar.
Në rrjetin social Facebook, qytetarët kanë shpërndarë fotografi të një kompanie gjermane të udhëtimit, e cila ka logon e njëjtë me atë të prezantuar si logo zyrtare për kremten e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Dallimi i vetëm i logos zyrtare të “Schauisland Reisen” janë vetëm ngjyrat e duarve, të cilat janë të verdha, derisa të logoja e prezantuar nga presidenca janë me dy ngjyra, e bardhë dhe e verdhë si dhe e kaltër dhe e verdhë, transmeton KTV.
Sidoqoftë, Presidenca ka sqaruar kuptimin e logos së pavarësisë, duke thënë se ajo simbolizon Kosovën në dhjetë vjetët e saj si shtet dhe kontributin e saj për paqen rajonale.
“Ngjyrat e logos janë ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat janë edhe ngjyrat e flamurit shtetëror. Dy duart e hapura dhe dhjetë gishta, përveçse nënkuptojnë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, nënkupton edhe 10 vjet kontribut në paqen rajonale”, ka thënë këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj.
Sipas tij, në formën e logos ka elemente edhe të hartës së Kosovës dhe formës së saj, ndërsa gjashtë komunitet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë janë paraqitur si gjashtë rreze ndriçuese përreth logos.