Futbollistët si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo janë të padiskutueshëm me “rrëmbimin” e çmimit si lojtari më i mirë në futboll gjatë karrierës së tyre të shkëlqyeshme.
Por, kur Sergio Aguero ka bërë të ditur se dëshironte të qëndronte te Manchester City dhe ta fitojë “Topin e Artë”, “The Sun” solli një shkrim për lojtarët të cilët asnjëherë nuk arritën ta fitojnë trofeun e çmuar.
Disa prej tyre mund t’i njihni, disa mund të jenë befasi, ndërsa për të tjerët mund të diskutoni gjatë se u është bërë e padrejtë.
Thierry Henry
Mes viteve 2001-06, ish-sulmuesi i Arsenalit ishte në kulmin e fuqisë së tij. Jo vetëm që ishte golashënuesi më i mirë i Premier Leagues në katër prej pesë edicioneve, ai shënoi 29 gola në 52 ndeshje të Ligës së Kampionëve në atë kohë – një garë në të cilën vlera e një lojtari matet në skenën botërore.
Por, për disa arsye, pavarësisht paraqitjeve të jashtëzakonshme, përfshirë edhe shkatërrimin që ia bëri Interit në “San Siro”, më e mira që e arriti ai ishte vendi i dytë në garën për “Ballon d’Or”. Në vitin 2003, ai përfundoi prapa Pavel Nedvedit.
Paolo Maldini
Është quajtur si mbrojtësi më i mirë që ka luajtur ndonjëherë. Ka qenë në gjendje të luajë në qendër të mbrojtjes, por edhe në krahun e majtë, aty ku e ka nisur karrierën. Ikona e Milanit ka fituar 25 trofe, përfshirë shtatë tituj të Serisë A dhe pesë Liga të Kampionëve.
Por, i gjithë shkëlqimi i tij në fushë, shpeshherë ka rënë nën hijen e bashkëlojtarëve si Andriy Shevchenko, Kaka, George Weah, Marco Van Basten dhe Ruud Gullit, të cilët ishin kurorëzuar më parë me këtë çmim.
Suksesi më i madh që e ka arritur është vendi i tretë dy herë, në vitin 1994 dhe 2003.
Mst: Xavi
Rrahja e zemrës së Barcelonës në stilin ‘tiki-taka’, mesfushori spanjoll luajti 767 herë për ekipin nga Katalonja.
Në atë kohë, ai mori shumë çmime – dhe ishte i përfshirë në ekipin më të mirë të vitit nga UEFA pesë herë rresht ndërmjet viteve 2008-12.
Por, “Topi i Artë” iu shmang atij, edhe kur ai e ndihmoi Spanjën në vitin 2010 në triumfin e Kupës së Botës, duke regjistruar përqindje të lartë me 91% të pasimeve të sakta në atë garë. Xavi përfundoi i treti, tri vjet rresht, ndërmjet viteve 2009-11.
Ferenc Puskas
Nuk ka çështje teknike këtu, Puskas – i cili shënoi 84 gola në 85 ndeshje për Hungarinë dhe 622 gola në karrierën e tij – dështoi ta fitojë çmimin “Ballon d’Or” – pavarësisht madhështisë që ai e kishte në kuptimin si futbollist.
Legjenda e Real Madridit i fitoi pesë tituj të La Ligas dhe Ligën e Kampionëve tri herë.
Sidoqoftë, ai u desh ta shikonte bashkëlojtarin e tij Alfredo Di Stefano tek e ngriti lart çmimin të cilin e ka fituar dy herë.
Puskas ishte i dyti në vitin 1960, por ai mund të mendohet të jetë lojtari më i mirë që nuk e ka fituar çmimin.
Kenny Dalglish
Sulmuesi skocez ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë që vjen nga këto treva.
Ai u ble nga Celtic në vitin 1977 për ta zëvendësuar Kevin Keegan, i cili një vit më vonë e fitoi “Topin e Artë” në Hamburg.
“Mbreti Kenny” bëri hapa të mëdhenj që nga fillimi, duke shënuar 31 gola në sezonin e parë dhe 25 të tjerë në vitin pasues. Paraqitja e tij brilante e udhëhoqi Liverpoolin drejt fitimit të tri Kupave Evropiane në vitet 1978, 1981 dhe 1984. Në vitin 1983, gara e “Topit të Artë” i takoi Michel Platinis, ndërsa Dalglish doli i dyti.
Andres Iniesta
Futbollisti më i stolisur në historinë e futbollit spanjoll me 35 trofe, përfshirë nëntë tituj të La Ligës dhe katër Liga të Kampionëve.
Iniesta ishte njëri prej lojtarëve kyçë në ‘tripletat’ historike të Barcelonës në edicionet e vitit 2009 dhe 2015.
Iniesta po ashtu e shënoi golin e fitores kundër Holandës në vitin 2010 në finalen e Kampionatit Botëror.
Pavarësisht të arriturave tejet të mëdha, Iniesta më së shumti në garën për “Topin e Artë” arriti në vendin e dytë në vitin 2010, në vendin e katërt në vitin 2011 dhe të tretin në vitin 2012. Të paktën, ai pati vazhdueshmëri të paraqitjeve të mira.
Bobby Moore
Bobby Moore bëri punë të madhe duke e mbuluar Eusebion, dhe e ndali fituesin e “Topit të Artë” të vitit 1965 në vetëm një gol të shënuar nga pika e bardhë në gjysmëfinalen e vitit 1966.
Në vend të tij, ishte Bobby Charlton i cili u emërua si lojtari më i mirë pasi Anglia u kurorëzua si më e mira e Botës në atë vit.