Futbollistët e klubeve elitare italiane nuk do të pranojnë rekomandimin e Serie A për reduktim të pagave.
Në një mbledhje të mbajtur të hënën, klubet e Serie A janë pajtuar të rekomandojnë reduktim të pagave për futbollistët, për të përballur krizën e krijuar nga koronavirusi.
Vetëm Juventusi, që tashmë ka arritur marrëveshje për t’ua ndalur lojtarëve katër paga mujore, ka abstenuar nga rekomandimi. Klubet kanë rekomanduar që lojtarëve t’iu ndalet një e treta e të hyrave vjetore nëse kampionati nuk vazhdon. Ndërkohë nëse kampionati vazhdon, propozimi është që lojtarëve t’iu ndalet një e gjashta e të hyrave vjetore, përkatësisht dy paga mujore.
Por Unioni i Lojtarëve Italianë (AIC) e ka vlerësuar rekomandimin e Serie A si të turpshëm dhe të papranueshëm.
“Është vendim i turpshëm dhe i papranueshëm”, ka thënë nënkryetari i AIC, Umberto Calagno.
“Është e qartë se klubet duan që vetëm lojtarët të paguajnë për dëmin e krijuar nga kriza. Pjesa e vetme relevante e komunikatës së ligës është ajo ku thuhet se ekipet duhet të negociojnë me lojtarët ndryshimet e kontratës”, ka shtuar Calagno.