Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, ka paralajmëruar se lojtarët që do të luajnë në Superligën Evropiane nuk do të lejohen të paraqiten në Kampionatin Evropian, përfshirë atë që do të mbahet këtë vit, dhe Kupën e Botës.
Ceferin në një konferencë për shtyp theksoi se bota e futbollit po qëndron e bashkuar kundër këtij propozimit të turpshëm.
“Lojtarët që do të luajnë në ligën e mbyllur do të ndalohen të luajnë në Kupën e Botës dhe EURO, përfshirë atë të këtij viti. Ata nuk do të lejohen të luajnë për ekipet e tyre kombëtare”.
“Unë nuk mund të theksoj më fort në këtë moment që UEFA dhe bota e futbollit qëndrojnë të bashkuar kundër propozimit të turpshëm të vetë-shërbimit nga disa klube të motivuara nga lakmia dhe asgjë tjetër. Ne të gjithë jemi të bashkuar kundër kësaj marrëzie të një projekti”, ka thënë Ceferin.
Ndërkohë sa i përket Ligës së Kampionëve, Ceferini ka thënë se gara do të vazhdojë pa 12 klubet e Superligës Evropiane.