Më 13 janar bëhen gjashtë vjet prejse FIFA ka dhënë leje për miqësore të Kosovës. Një ditë më herët, më 12 janar, përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan miqësore me Suedinë në Doha të Katarit. Ndeshja me Suedinë shënon kthimin në përfaqësuese të Kosovës të Zymer Bytyqit. Ai ishte prej “përfituesve” të parë të vendimit që Komiteti Emergjent i FIFA-s e mori më 13 janar të vitit 2014, shkruan sot Koha Ditore.
Bytyqi ishte në përbërje dhe u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes miqësore ndërmjet Kosovës e Haitit, të luajtur më 5 mars të vitit 2014. Ndeshja e zhvilluar në “Adem Jashari” në Mitrovicë, përfundoi pa gola, por mbetet prej pikave kryesore në historinë e përfaqësueses së Kosovës. Rrugëtimi i vërtetë i Kosovës nisi atë ditë të ftohtë në stadiumin e madh në Mitrovicë. Bytyqi ishte aktivizuar në mes të pjesës së dytë në vend të Ilir Azemit.
Prej lojtarëve që janë paraqitur në atë ndeshje historike, ka të tillë që e kanë përfunduar karrierën. Të tjerë janë në përfundim të saj, ndërsa për Bytyqin mund të vlerësohet se ende është në fazë të hershme të karrierës. Ai po kthehet në moshën 23-vjeçare. Vlerësohej talent i madh në Norvegji dhe përzgjedhësi Albert Bunjaki kishte vendosur t’ia ofronte rastin. Madje e aktivizoi.
Ndeshja miqësore ndërmjet Kosovës e Suedisë nuk është në termin zyrtar të FIFA-s për aktivitete të përfaqësueseve. Suedia paraqitet me ekipin B, njëjtë si Kosova. Vetëm pesë prej lojtarëve që ftohen rregullisht do të jenë nën urdhrat e përzgjedhësit Bernard Challandes. Bëhet fjalë për portierin e tretë, Visar Bekaj dhe për katër lojtarë që bëjnë karrierë në vendet Skandinave: Fidan Aliti e Anel Rashkaj që luajnë në Suedi dhe Herolind Shala e Elbasan Rashani që luajnë në Norvegji. Kështu është krijuar hapësirë për shumë lojtarë të Superligës së Kosovës dhe për ndonjë tjetër të Skandinavisë dhe të vendeve të regjionit. Në këtë përbërje të kombinuar ka pasur vend edhe për Bytyqin. Ai ka luajtur për Kosovën vetëm në atë ndeshje historike me Haitin.
“Kur kam dëgjuar që Kosova do të përzgjedhë një skuadër me lojtarë që do të provohen, dhe më së shumti të ligave të Skandinavisë, më ka shkuar mendja se ndoshta mund të ftohem. Nuk kam guxuar të besoj, pasi kjo gjë është shumë e madhe për mua – të luaj për kombin tim”, ka thënë Zymer Bytyqi për gazetën.