Dy marinare dhe dy qentë e tyre u shpëtuan nga marina amerikane pasi kishin humbur prej thuajse 5 muajsh në Paqësor.
Jennifer Appel dhe Tasha Fuiaba u nisën në maj nga Hauai me destinacion Tahitin, por motori i varkës së tyre u prish. Dy femrat menduan se mund t’ia dilnin që të mbërrinin në tokë duke u mbështetur tek velat dhe era, por i bënë llogaritë gabim dhe varka e tyre përfundoi rreth 1500 km në juglindje të Japonisë, në mëshirë të fatit.
Pasi e kuptuan se nuk do t’ia dilnin dot, marinaret bënë mjaft thirrje për ndihmë në radio, por sinjali i tyre nuk u diktua nga askush, sepse ishin shumë larg anijeve të tjera dhe stacioneve në tokë. Fatmirësisht, pas thuajse 5 muajsh në det, varka e tyre u pikas më 24 tetor nga një anije peshkimi tajvaneze, e cila lajmëroi autoritetet në ishullin amerikan të Guamit.
Menjëherë u vu në lëzvizje luftanija USS Ashland, e cila gjeti dhe shpëtoi marinaret. Appel dhe Fuiaba thanë se pavarësisht vështirësive që kaluan, ishte një mrekulli të shpëtoheshin nga marina amerikane. Dy femrat treguan se mundën të mbijetonin për aq gjatë falë ushqimeve të thata që kishin me shumicë, si makarona dhe tërshërë, por mbi të gjithë falë pajisjes që purifikonte ujin.