Vota e qeverisë kundër SHBA është dhe një votë kundër Kosovës, është shprehur Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet deputetes Klajda Gjosha.
Si ish-ministre e Integrimit, Gjosha tha se një votë e tillë e rëndësishme nuk është konsultuar as me Kuvendin dhe as me presidentin e Republikës.
“Shqipëria dhe shqiptarët në fakt nuk kanë votuar kundër SHBA po vetëm qeveria që mban sot këtë votë të rëndë mbi supe dhe është ndarë njëherë e përgjithmonë qëndrimi qytetar me qeverinë. Vota ka shënuar në mënyrë të paprecedent dhe një votë kundër Kosvoës. Në një vendim kaq të rëndësishëm nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi, as me Kuvendin, as me Presidentin e Republikës. Është e rëndë kur sheh që kryeministri e do Amerikën për të kapur drejtësinë dhe në anën tjetër investohet kundër saj në kundërshtim me interesin kombëtar. Asnjë marrëdhënie dhe raport i Shqipërisë nuk krahasohet me ato të SHBA që gjithnjë kanë qëndruar fort në krah të shqiptarëve”, tha Gjosha.