Kur raportohet për tre shqiptarë të vrarë, kjo nuk paraqet kurrfarë problemi për sigurinë e vendit. Por kur përmendet se një serb është sulmuar, gjendja nuk është aspak e mirë. Bile në këtë rast komandanti i KFOR-it nuk e pret raportuesen që ta përfundojë fjalinë. Menjëherë vrapon tek radiolidhja për të dhënë urdhër për arrestime.
Urdhri është i vlefshëm edhe kur merret vesh që serbi është sulmuar nga qentë endacakë. Duhet të arrestohen pronarët. Por meqenëse qentë endacakë nuk kanë pronarë, në një formë ata duhet të “shpiken” veç sa për t’u dukur se forcat paqeruajtëse janë në nivel të detyrës. Zyra e komandantit të KFOR-it, italianit Mikele, është vend i vendimeve të mëdha. Siguria shoshitet fort aty. Por pos kësaj shoshiten edhe shkathtësitë në krevat të eproreve ushtarake, shkruan sot Koha Ditore.
Komanda deri diku e ka civilizuar edhe Abdullahun, një ushtar nga vendet arabe që publikisht thotë se rakia është haram, kurse në zyre të komandantit i mbyll sytë përballë mëkatit. Reklamat për të ardhme të përbashkët midis shqiptarëve dhe serbëve që realizohen nga forcat e KFOR-it shërbejnë për tallje e humor në Shtabin e forcave paqeruajtëse. Përkthyesja përbuzet, shfrytëzohet për çdo gjë, por një ditë vjen edhe koha e saj. Satira e thumbimet në shfaqjen “Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka, s’po di, s’po di”, me tekst të Lirak Çelajt e regji të Florent Mehmetit, ka shënuar 15-vjetorin e themelimit të teatrit “Oda” të enjten mbrëma.