Mbi 10 milionë euro është vlera e mallrave që Dogana e Kosovës ka konfiskuar vetëm sa i përket shkeljes së të drejtës së autorit që nga viti 2010. Të dhënat e shpalosura nga ky institucion shpërfaqin se riprodhimi i markave të njohura botërore në mënyrë pirate është goxha i pranishëm në vend.
Të dielën, në konferencën online “Si mundet që të drejtat mbi pronën intelektuale të mbështesin tranzicionin në ekonomi të qëndrueshme me transmetim te ulët karboni”, përfaqësues institucionalë e njohës të të drejtave të autorit kanë folur për sfidat e kësaj fushe në Kosovë.
Sadije Topojani, udhëheqëse e Sektorit të të drejtave intelektuale në Doganën e Kosovës, ka thënë se e drejta për pronësi intelektuale ndihmon në konkurrencën e drejtë. Sipas saj, Dogana e Kosovës ka një rol shumë të rëndësishëm sa u përket të drejtave të autorit, raporton KOHA.
“Ndërmarrim veprime për mallrat që hyjnë dhe dalin në territorin e Kosovës. Kemi progres shumë të mirë”, ka thënë ajo.
Sipas Topojanit, edhe Raporti i Progresit çdo vit ka qenë pozitiv sa i përket veprimtarisë së Doganës në raport me të drejtat e autorit.
“Mbi 10 milionë euro mallra janë ndalur si rezultat i falsifikimit e piraterisë nga 2010 deri më tash. Kemi pasur veprime brenda vendit, ku kemi gjetur minifabrika që falsifikojnë mallra”, ka thënë ajo në konferencën e organizuar nga kolegji “UBT”.
Sipas Topojanit, Kosova është më e rrezikuar sa u përket produkteve të tekstilit. “Falsifikimi që vjen nga Turqia është më i sofistikuari”, ka thënë ajo, derisa ka folur për sfidat. Ka shtuar se bartësi i të drejtës së autorit është ai që konstaton për origjinalitetin e një produkti.
Në këtë konferencë, drejtori i Zyrës së të Drejtave të Autorit dhe të Drejtave të Përafërta, Valon Kashtanjeva, ka thënë se sa i përket legjislacionit Kosova ka avancuar dukshëm. Por, sipas tij, mbetet sfidë zbatimi i ligjeve e akteve nënligjore, sa u përket të drejtave të autorit. Ka përmendur marrëveshjen e lidhur midis transmetuesve publikë dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e autorëve në fushën e muzikës.
Pas afër 5 vjetësh negociata mes Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe mediave, në Ministrinë e Kulturës, në mars të vitit 2018, ishte nënshkruar marrëveshja për tarifat e përgjithshme që duhet të paguajnë mediat për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtat e autorit.
Sipas asaj marrëveshjeje, katër kanalet e Radio Televizionit të Kosovës do të paguajnë shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojë muzikën për transmetim.
Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguajnë nga 6 mijë euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1 mijë e 200 euro tarifë vjetore, ato lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2 mijë e 400 euro, kanalet tjera kabllore 1 mijë 800 euro.
Sa u përket radiove, sipas marrëveshjes, radiot nacionale paguajnë 3 mijë e 600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro. Sipas Kashtanjevës, ka pasur ngecje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.