Lutjet disa javëshe të amerikanëve nuk e kishin bindur Kryeministrin Kurti ta pezullonte vendimin për targat. Për to, serbët e veriut kanë braktisur institucionet, janë shpallur zgjedhje në 4 komuna, janë djegur vetura të qytetarëve që i kanë konvertuar targat në RKS. Për shkak të situatës së krijuar për targat, çështja e heqjes së vizave për Kosovën u hoq nga rendi i ditës në një mbledhje në BE. Mbrëmë vendimi për targat u pezullua.
E gjithë kjo histori e nervozoi në tetor Ambasadorin amerikan Chris Hill në Beograd kur po merrte pjesë në një debat në të cilin ishte i lidhur me video edhe zëvendëskryeministri Bislimi.
“Po merremi me targat kur në botë flitet për armë bërthamore”, tha Hill i zhgënjyer me vendimin e Kurtit.
Një muaj më vonë epilog kësaj teme i dha si duket angazhimi i kolegut të Hill në Kosovë, Ambasadori Hovenier.
Drama për targat u përmbyll mbrëmë me një marrëveshje mes negociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajcak.
Dakordimi dukej sikur ai që u refuzua dy ditë më parë nga Kryeministri Albin Kurti, kur Kryedipolomati evropian, Josep Borrell, i kishte kërkuar Kosovës që të ndalte procesin e konvertimit të targave, e Serbisë të ndalte lëshimin e targave ilegale për rajone të Kosovës. Por, kryeministri Kurti tha sot se bëhet fjalë për një ujdi më të favroshme për Kosovën se ajo që e kishte refuzuar të hënën.
Mbrëmë shpërthyen reagimet ndaj Kryeministrit Kurti. Për disa javë, Qeveria kishte thënë se nuk e negocion më vendimin sovran për targat e përkrahësit e Kurtit, kishin sulmuar ata që thoshin se duhej të dëgjoheshin kërkesat e ndërkombëtarëve për pezullim.
Për diplomatë perëndimorë, si puna e Hill, ishte “absurde” që të tensionohej situata dhe të rrezikohej siguria për një çështje si targat e veturave.
“Dinjiteti” ishte kryefjala e fjalimeve të zyrtarëve të Qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Deri mbrëmë.
Por, si u kthye çështja e targave në ngjarjen më të shënuar të verës dhe vjeshtës?
Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, erdhi në Prishtinë në fund të tetorit, me një temë kryesore në agjendën e tij: kërkesën për të shtyrë afatin e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave.
“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar më 20 tetor në Prishtinë.
Atë kohë, po afrohej data e fundit që Kurti e kishte vënë si kohë për heqjen nga përdorimi të targave ilegale, që Serbia i lëshon për rajone të Kosovës.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po i intensifikonin thirrjet ndaj Qeverisë Kurti, sa më shumë që afrohej 1 nëntori. Kryeministri nuk jepte shenja se do t’u përgjigjej pozitivisht thirrjeve të Perëndimit. Presidentja, njëjtë si ai.
Qeveria përsëriste se e ka për detyrë “zbatimin e ligjit”, kur pyetej për kërkesat e ndërkombëtarëve.
Më 25 tetor, Kryeministri Kurti rikujtoi se më 31 korrik, pas tensioneve në veri, e ka shtyrë datën për zbatimin e vendimit për 1 muaj, me kërkesë të Ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.
“Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetruara, KM, PR e të ngjashme, trashëgimi e Kosovës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime, RKS”, u ka thënë Kurti gazetarëve.
Ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it, kishin shkuar në zyrën e Kurtit për të provuar të bindin për shtyrje, më 28 tetor. Po atë ditë, pak orë më vonë, Kryeministri vendosi që ta zbatojë vendimin për heqjen e targave ilegale, por duke e ndarë në faza.
Faza e parë po niste më 1 nëntor dhe përfshinte qortimet që Policia e Kosovës do t’ua jepte vozitësve të automjeteve me targa ilegale. Kjo do të zgjaste deri më 21 nëntor.
Shtetet e Bashkuara ishin “të zhgënjyera” me vendimin që sapo e kishte shpalosur Kurti.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Të nesërmen, edhe Bashkimi Evropian iu bashkua amerikanëve në zhgënjim. “Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur këshilla e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhej në reagimin e BE-së.
“Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit të targave, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni”, u tha në komunikatën e BE-së.
U bë 31 tetori dhe të nesërmën ishte vendosur të nisë zbatimi i vendimit për targat. SHBA-ja nuk po dorëzohej.
Ned Price, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, përsëriste se SHBA-ja kërkon shtyrje të plotë të afatit, e jo ndarje në pjesë, siç po e bënte Qeveria e Kosovës.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, tha Price.
Më 1 nëntor, Policia e Kosovës nisi të japë “fletë-qortime” për secilën veturë që hynte apo dilte nga Kosova, e që kishte tabela të lëshuara ilegalisht nga Serbia.
Llogaritej se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e vendit.
Para nisjes së zbatimit të vendimit, janë lajmëruar disa raste, ku qytetarëve serbë të veriut që i kanë konvertuar targat në RKS, u janë djegur veturat.
Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, çështja e targave nuk ishte temë që negociohet, pasi Kosova po zbatonte ligjin.
MË 2 nëntor, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut tha se policët atje nuk do ta zbatonin urdhrin e Qeverisë, pra nuk do të shpërndanin fletë-qortime.
Gjuriqit i kushtoi me suspendim mospranimi i zbatimit të detyrave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se secili pjesëtar i Policisë, duket ta ketë mision sundimin e ligjit.
“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, shkroi Sveçla në Facebook.
Lista Serbe paralajmëroi largim nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke e quajtur “të paligjshëm” shkarkimin e Gjuriqit.
Përgjatë kësaj kohe, Kryeministri Kurti kishte udhëtuar në Berlin, për Samitin atje. Ishte takuar me Borrellin, të cilit, edhe njëherë ia kishte shpjeguar konstruktivitetin e vendimit për ndarjen në faza të afatit për konvertimin e targave.
“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhej në njoftimin e 3 nëntorit të Zyrës së Kryeministrit.
Më 5 nëntor, Lista Serbe njoftoi se zyrtarët e saj dhe qytetarët serbë të veriut do t’i braktisin të gjitha institucionet publike të Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Fill pas njoftimit të LS-së, pjesëtarë të Policisë së Kosovës zhveshën uniformat dhe lajmëruan largimin. Drejtori i suspenduar, Gjuriq, dy ditë më parë veçse e kishte njoftuar nga selia e Listës Serbe largimin nga Policia.
Një ditë më vonë, më 6 nëntor, dhanë dorëheqje kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit; Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zvecanit dhe Leposaviqit.
Pas tyre, edhe deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet në Kuvendin e Kosovës. U larguan gjyqtarë, prokurorë e të tjerë të angazhuar në sistem të drejtësisë.
Ndërkombëtarët e konsideronin kthim prpan gjendjen e krijuar pas largimeve, duke i bërë thirrjes Kosovës dhe Serbisë për zbrapsje në veprime.
Paralelisht, në Serbi, Vuciq dhe të tjerë flisnin për disa dronë, që sipas tyre, po përcillnin objekte ushtarake të Serbisë dhe kishin hyrë nga Kosova.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, më 7 nëntor, kishte biseduar me Kurtin e Vuciqin.
“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, kishte shkruar Stoltenberg në Tëitter.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave u shpallen. Lista Serbe, që i udhëheq të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, tha se nuk merr pjesë në to. Ministrja e Drejtësisë tha se prokurorët dhe gjyqtarët e larguar nuk do të mund të kthehen më në vendet e tyre të punës.
Ndërkaq, befasishëm, deputetë të rinj të Listës Serbe u panë në një seancë të Kuvendit, ku bën betimin dhe morën mandatat që i kishin lënë bashkëpartiakët.
Lista Serbe më vonë njoftoi se u kthye në Kuvend për ta penguar Kurtin, që, sipas LS-së, po planifikonte t’ua marrë të drejtat serbëve.
Më 18 nëntor, Kurti la të kuptohej se do të negociohej edhe njëherë për targa. Më 21 nëntor, që ishte data kur do të niste faza e dytë e zbatimit të vendimit për targat, Kryeministri shkoi në Bruksel për takim me Vuciqin.
Pas tetë orë disktuime, u njoftua se nuk Bruksel nuk u arrit marrëveshje për targat.
Borrell tha se ka bërë një propozim që do të shtensiononte situatën, të cilin e ka pranuar Presidenti serb, por jo edhe Kryeministri i Kosovës.
Propozimi ishte që Serbia më të mos lëshonte targa ilegale, e Kosova ta pezullonte procesin e riregjistrimit të targave.
Kryeministri Kurti fajësoi Borrellin që po hiqte dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të raporteve, që në publik njihet si “plani franko-gjerman”.
Pas akuzave të BE-së dhe Kosovës ndaj njëra-tjetrës, ndërhyu sërish SHBA-ja.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në orët e para të 22 nëntorit njoftoi se i ka kërkuar Kurtit ta shtynte për 48 orë zbatimin e fazës së dytë, që ishte dhënia e gjobave për poseduesit e targave ilegale. Kurti e pranoi.
Më 23 nëntor, në mbrëmje, pas negociatave tani të Kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimit me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, u arrit marrëveshja.
Teksti i marrëveshjes thoshte se, siç e kishte propozuar dy ditë më parë Borrell, Serbia më nuk do të lëshonte targa ilegale, e Kosova do ta pezullonte procesin e konvertimit. Ishte shtuar edhe pika që ngulmonte Kurti, e që ishte angazhimi për normalizim të raporteve, sipas propozimit evropian, që Kryeministri thoshte se e ka braktisur Borrelli.