Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë, organizon sot një tryezë për të diskutuar performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.
Tryeza do të titullohet “Luftë për luftën kundër korrupsionit”, e cila do të shërbejë që të diskutohet raporti i monitorimit të sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit.
Sipas njoftimit, raportet e IKD-së janë rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor.
Në fokus të raporteve janë aktivitetet e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Gjykatave, Prokurorive Themelore si dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe performancën e tyre në luftën kundër korrupsionit. Gjetjet e IKD-së dëshmojnë për probleme serioze në respektimin e obligimeve ligjore dhe në zbatimin e politikave për trajtimin e rasteve të korrupsionit me prioritet absolut. Monitoruesit e IKD-së, prej 1 korrikut 2015 deri më 30 shtator 2016 kanë monitoruar 1382 seanca gjyqësore, ku përfshihen 977 raste të korrupsionit me 2500 persona.
Në fokus të këtij raporti janë rastet e korrupsionit të monitoruara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, ku janë monitoruar 749 seanca gjyqësore, ku përfshihen 564 raste të korrupsionit me 1386 persona. Trendi i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit vazhdon të sfidojë sistemin prokurorial dhe gjyqësor, rrjedhimisht kemi vazhdimisht lëndë të parashkruara të korrupsionit.