Shefat Isufi ka lëshuar një mundësi të artë në raundin e gjashtë dhe në fund është dashur ta pranojë disfatën nga britaniku Billy Joe Saunders. Meçi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stevenage të Anglisë ishte i vlefshëm për titull të botës në boksin profesionist, në versionin WBO (World Boxing Organisation), në kategorinë super të mesme. Saunders fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve, pasi dominoi në ring gjatë 12 raundeve. 120:108, 117:111 dhe 118:110 në të mirë të Saundersit ishte vlerësimi i gjyqtarëve.
Por nuk është dashur shumë që meçi mos të shkojë në 12 raunde. Pasi Saunders kishte dominuar pesë raundet e para, në të gjashtin boksieri shqiptar, Isufi, pati një moment të madh. I dha një goditje të fuqishme Sunderisit, të cilit iu lëkundën këmbët. Isufi e dërgoi deri në litar kundërshtarin, por Saunders u mbështet te shqiptari, duke shmangur vazhdimin e sulmit, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërhyri edhe gjyqtari në ring dhe kështu Saunders shpëtoi, e më pas ka dominuar deri në fund. Edhe Isufi kishte momentet e tij të vështira, por është lavdëruar që qëndroi 12 raunde.