Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, e cila është obligim dhe përgjegjësi institucionale e Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, nga politikanët e Kosovës përmendet vetëm kalimthi, pa prezantuar ndonjë qasje të qartë ndaj këtij problemi, vlerësojnë njohësit e rrethanave të sigurisë në vend.
Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lire se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit duhet të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme të vendit, në vitet që do të vijnë.
Ai shpreh mendimin se është e rëndësishme që partitë politike, duhet t’i hartojnë planet e detajuara dhe strategjitë, se si me “qasje të butë” t’i largojnë faktorët që ndikojnë në radikalizëm dhe ekstremizmin e dhunshëm. Sipas tij, partitë politike kanë shprehur vetëm qartësinë bazike, sepse gati se të gjitha kanë orientimi të qartë perëndimor.
“Ato kanë një narracion që nuk e shmangë Kosovën nga rruga perëndimore. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Prandaj, pres që në këtë periudhë të qartësohet pozicioni dhe planifikimi i qartë, se si me ‘masa të buta’, se si me përmirësim të aspekteve të përgjithshme sociale dhe ekonomike, si dhe të largimit të izolimit do të mund të ndikojnë në orientimin e rinisë së Kosovës kah vlerat evropiane dhe kah perspektiva e tyre, si dhe ta largojnë indoktrinimin dhe propagandën që ndodhë në Kosovë”.
Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova mbetet akter në skenën ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit dhe si një vend partner, puna e të cilit është çmuar jashtëzakonisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, Kosova nuk ka pasur deri më tash kërcënime serioze nga sulmet terroriste, por institucionet përgjegjëse, siç thotë ai, janë gjithmonë në gjendje gatishmërie lidhur me këtë çështje.
“Nuk ka ndonjë indikacion serioz se vendi ynë mund të ballafaqohet, qoftë në këtë fazë apo në të ardhmen e afërt, me sulme të tilla. Por, kjo nuk na jep komoditetin ne që të mos mendojmë se edhe mund të jetë cak i ndonjë sulmi. Gjithmonë, gatishmëria jonë është në nivelin, sikurse të ballafaqoheshim me sulmet e tilla, sepse, siç thash, nuk mund të jemi komod nga vet fakti që sulme të tilla kanë prekur edhe vende me traditë të ekzistimit të mekanizmave në luftë kundër terrorizmit apo dukurive tjera të natyrave të ngjashme”, theksoi Hoxha.
Por, Ramadani, megjithatë, shpreh mendimin se përhapja e ekstremizmit të dhunshëm mbetet ende sfidë, sepse, sipas tij, ideologjia e tillë edhe më tej po përhapet, kryesisht përmes rrjeteve dhe komunikimeve sociale. Ai thotë se veprimet e institucioneve të zbatimit të ligjit, ka dhënë rezultatet e para, por kjo nuk mund të ndikojë për shmangien në tërësi të propagandës dhe indoktrinimit.
“Prandaj, puna në komunitet, puna institucionale dhe angazhimi i përbashkët me BIK-un (Bashkësinë Islame të Kosovës) për ta luftuar propagandën do të jetë sfida kryesore e qeverisjes së ardhshme. Nuk besoj që dikush mund të thotë që nuk ka më probleme nga ekstremizmi i dhunshëm, sepse ideologjia është në përhapje, në vazhdimësi. Por, besoj që pozicionet politike të partive që janë në garë, duhet të qartësohen edhe më shumë”.
Gjatë vitit 2014, Kosova ka pasur më së shumti pjesëmarrës në luftëra të huaja për kokë banori. Por, sipas autoriteteve të vendit, ky trend është gjithmonë e në rënie.