Lukashenkos po vazhdon t’i ngushtohet laku në Bjellorusi

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Bjellorusisë Alexandar Lukashenko është turpëruar nga punëtorët e një fabrike, gjersa mllefi ndaj tij dhe rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve po rritet edhe më shumë.

Punëtoret e një fabrike, të cilën ai e vizitoi të hënën, i brohoritën “shporru”, derisa Lukashenko insistoi se nuk do të lejojë zgjedhje të reja.

Në një vizitë në fabrikën e traktorëve në Minsk të hënën, Lukashenko kërkoi të mbrojë fitoren e tij të dyshimtë, duke u thënë punonjësve: “I kemi mbajtur zgjedhjet. Derisa nuk me vrisni, nuk do të ketë zgjedhje tjera”.

Sidoqoftë ai tha se është i gatshëm të mbajë një referendum dhe “të dorëzojë autoritetin në përputhje me Kushtetutën, por jo nën presion dhe me anë të protestave në rrugë”.

Derisa Lukashenko po fliste në fabrikë, punëtorët brohoritën “shporru”.

Dhuna policore ndaj përkrahësve të opozitës si dhe manipulimi i votave të 9 gushtit, shkaktuan protesta të mëdha në kryeqytetin Minsk.

Sipas portalit të pavarur Tut.by, tubimi i së dielës në Minsk “ishte më i madhi në historinë e Bjellorusisë së pavarur”.

Greva dhe protestat u shtrinë deri te televizioni kombëtar, ku punonjësit dolën nga vendet e punës të hënën.

Me qindra protestues janë plagosur dhe dy kanë vdekur në përleshjet me policinë gjatë javës se kaluar. Afro 6.700 njerëz janë arrestuar dhe shumë nga ta kanë thënë se janë torturuar nga forcat e sigurisë.

Lukashenko e udhëheqë Bjellorusinë që nga viti 1994, duke mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë fqinje nga e cila Bjellorusia varet shumë për furnizimet me energji.

Të ngjashme