Lulzim Basha ka mbajtur sot një fjalim plot pathos dhe argumenta i cili i ftonte të gjitha instucionet ligjzbatuese të vendit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të gjurmojnë pastrimin e parave që Rilindja përfitoi nga trafiku i drogës këto katër vite.
Kreu i opozitës kishte të drejtë kur tha se përgjigjet e Ramës me humor dhe batuta për denoncime si ky janë të vjetëruara dhe të dala boje.
Ai kishte të drejtë kur rikujtoi alibitë që Rama ka bërë për katër vite, për mushkonjat, kanabisin, Elvis Roshin dhe Saimir Tahirin.
Ai kishte të drejtë kur ngriti dyshimin se paratë e trafikantëve po pastrohen përmes futjes në sistemin bankar.
Ai kishte të drejtë kur theksoi pikpyetjen për grataçielat e reja, që si arsye ekonomike kanë vetëm justifikimin e fitimeve të nxjerra në rrugë të paligjshme.
Ai kishte të drejtë kur përmendi se në një vend ku investohen paratë e drogës, largohen sipërmarësit e mëdhenj ndërkombëtarë (siç ka ndodhur në Shqipëri).
Për të kuptuar se argumentat e Bashës janë të vërteta dhe qëndrojnë, nuk ka nevojë të jesh një sepecialist ekonomie. Nuk ka nevojë as të kesh djeni për botën e krimit dhe mënyrat e pastrimit të parave. Mjafton të vësh në punë logjikën e thjeshtë. Mjafton të përmendësh faktin tashmë të pranuar nga të gjithë (deri gjashtë muaj më parë vetëm Edi Rama e mohonte) se për katër vite me radhë Shqipëria u shndërrua në prodhuesen më të madhe të hashashit në kontinent. Se malli eksportohej drejt Italisë dhe Greqisë, jo më me mushka dhe gomone, por me vaporë dhe me avionë. Se kjo korruptoi jo vetëm policët e thjeshtë, por të gjithë drejtorët dhe hirarkinë e ministrisë së rendit.
As këta të fundit, as politikanët e lartë që e kanë lejuar, dhe as trafikantët e mëdhenj që mbroheshin prej tyre, nuk e kanë bërë këtë punë për hobi. Ato 2 miliardë euro që qarkullonin në të zezë sipas OSBE-së nuk ishin një thashethem.
Pra nëse ke pranuar se për katër vite në këtë vend është bërë nami, si me kultivim, si me eksportim, është e natyrshme të ngresh edhe pyetjen: Ku gjenden ato qindra miliona të fituara në këtë xhiro kriminale? Si do t’ai bëjnë qeveritarët dhe trafikantët e lidhur me ta, për t’I futur në sistem, për t’i pastruar, për t’i përdorur lirshëm në fund të fundit?
Të fillosh humorin dhe batutat për këtë çështje, ashtu siç bën Rama, është të duash ta fshehësh atë nga sytë e publikut njësoj si kryeministri tentoi të mbajë të fshehur avionët, elvisët, prengët dhe frokët.
Dhe këtu Lulzim Basha ka përsëri të drejtë. Mënyra si po sillet shefi i qeverisë është prova më e mirë se problemi i ngritur ekziston.
Por, fatkeqësia me Bashën nuk është tek të vërtetat që thotë, por tek impakti që ato kanë.
Sepse, pak a shumë akuza të ngjshme, lideri i PD i tha me forcë edhe në fillim të këtij viti. Ai i quajti aq të forta dhe aq shqetësuese, sa për hir të tyre u tregua i gatshëm të shembte sistemin elektoral. Në emër të tyre ai kërkoi përmbysjen e republikës së vjetër. Ai u ngujua tre muaj në çadër dhe premtoi se nuk dilte që aty pa arritur qëllimet e tij.
Se ç’ndodhi me çadrën, me zgjedhjet dhe me republikën e re, tashmë dihet. Ajo i shiti të gjitha denoncimet vetëm për të marrë pak muaj në duar disa drejtori me buxhete të mëdha. Ajo i pushoi sulmet ndaj Ramës dhe kryetrafikantin filloi ta vizatojë si një njeri normal.
Sot, fatkeqësisht, askush nuk mund ta imagjinojë si do të qe Shqipëria sikur Basha të kishte qëndruar në çadër. Se çfarë do të ndodhte në një vend me parlament një ngjyrësh, ku ministri i rendit dilte i lidhur me trafikantët dhe ku kryeministri në rastin më të mirë, rrezultonte se kishte krijuar alibi për ta.
Pa dyshim, situata do të kish qenë e ndyshme sikur Basha të mos qe tallur me sakrificën e mijra demokratëve, qytetarëve dhe pjestarëve të shoqërisë civile.
Por, ai nuk diti të qëndrojë në lartësinë që i solli momenti, fati, mobilizimi njerzor dhe mërzia me këtë pushtet të molepsur. Ai shkoi dhe ra në prehrin e armikut.
Prandaj, sot, kur ka rifilluar të thotë të vërteta të frikshme, pak kush, fare pak, ka vesh për ta dëgjuar.
Këtë fat rrezikon të ketë edhe denoncimi i fundit për shndërrimin e vendit në një lavartriçe për paratë e drogës. Të gjithë e kuptojnë që është e vërtetë, por të gjithë qëndrojnë të heshtur. Se askush nuk do të zhgënjeht sërish duke u bërë militant i kauzave të mëdha që përfundojnë në pazare meskine. (Lapsi.al)