Kreu i opozitës Lulzim Basha ka folur për herë të parë pas qartësimit të rezultateve të zgjedhjeve të djeshme ku duket se PS ka marrë një fitore te pastër, ndërsa PD është katandisur në një rezultat edhe më të keq se sa humbja e pushtetit në vitin 2013.
Në reagimin e tij në Facebook, Basha i kërkon numëruesve që të tregojnë kurajo dhe të numërojnë çdo votë të PD-së duke garantuar transparencë.
“Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve. Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit”, ka shkruar ai.
“Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajos politike dhe qytetare”, ka shkruar Basha.