Lumezi, për letrat e Thaçit: Do t’i sjell para drejtësisë ata që kanë kryer krime

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 19:04 | Nga

Prokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka pranuar dje shkresat e dërguara nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një komunikate për media, Lumezi bën të ditur edhe për hapat që janë ndërmarrë siç është ai për themelimin e Departamentit për Krime Lufte.

“Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që një kërkesë është në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal”, thuhet në komunikatë.

Kryeprokurori ka theksuar se gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 letër rreshtime me 15 persona, ndërsa që janë trajtuar dhe po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës.

“Deri më tani sa u përket këtyre rasteve janë lëshuar gjithsej 72 letër rreshtime për të pandehurit dhe në momentin e parë që do të jetë e mundshme, ata do të arrestohen dhe do të dërgohen para drejtësisë”, thuhet më tej në komunikatë.

Komunikata e plotë e Prokurorit të Shtetit:

Prokurori i Shtetit, konfirmon se dje ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, shkresa këto të ngjashme me fjalën e Presidentit të Kosovës në konferencën e organizuar për media.

Prokurori i Shtetit, edhe njëherë konfirmon përkushtimin e tij kushtetues dhe ligjor në ndjekjen, hetimin dhe dërgimin para gjykatave e të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale.

Në këtë drejtim ne tashmë kemi bërë hapa konkret në luftimin e shumë dukurive negative kurse më datë 13.05.2015, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin ka themeluar Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, më 08.01.2016, KPK ka caktuar dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve brenda Prokurorisë Speciale, e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës, kështu tashmë PSRK ka në punë gjithsej 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX-it janë transferuar 69 raste me 218 persona tek prokurorët vendor në Departamentin e Krimeve të Luftës në kuadër të PSRK-së.

Krimet e luftës të ndodhura në: Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe, janë lëndë në të cilat po punojnë prokurorët dhe ata po punojnë intensivisht për përfundimin e tyre.

Gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 letër rreshtime me 15 persona, ndërsa që janë trajtuar dhe po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës.

Deri më tani sa u përket këtyre rasteve janë lëshuar gjithsej 72 letër rreshtime për të pandehurit dhe në momentin e parë që do të jetë e mundshme, ata do të arrestohen dhe do të dërgohen para drejtësisë.

Andaj, Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që një kërkesë është në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal.

Për më tepër, Prokurori i Shtetit ka obligim kushtetues dhe ligjor të mbroj interesin publik para gjykatave të vendit, ndërsa që mirëpresim vullnetin politik në rritje për të fuqizuar luftën kundër krimit.

Në këtë drejtim Prokurori i Shtetit do të bëj gjithçka në mundësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, për të kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor e ndërkombëtar në marrjen e dosjeve ku mund të gjenden prova rreth pretendimeve për krimet e ndodhura gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se një pjesë e krimeve që supozohet se janë kryer, tashmë janë gjykuar nga gjykata kompetente dhe parimi NE BIS IN IDEM, parim ky i vendosur në dispozitën e nenit 4 të KPP-së, pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve kurdoherë kur ato tashmë kanë marrë një epilog nga ana e një gjykate.

Në të gjitha ato raste ku ka hapësirë për veprim, Prokurori i Shtetit do të veproj me gjithë forcën e ligjit dhe do të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin se po punon në krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore në adresimin e këtyre dhe shumë çështjeve tjera, ndërsa që fton Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që t’ia lehtësojnë dhe mundësojnë arritjen e objektivave të Prokurorit të Shtetit, duke përmirësuar kushtet e punës, rritjen e buxhetit, si dhe përmes ndryshimeve ligjore në ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe ligjeve tjera relevante, ngase është parakusht themelor krijimi i kushteve elementare në resurset njerëzore dhe infrastrukturës ligjore në luftimin, hetimin dhe ndjekjen e suksesshme të krimeve që kanë ndodhur që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme