Këshilli Prokurorial i Kosovës sot ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku është diskutuar për numrin e gjësendeve të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se është i pakënaqur me numrin e konfiskimeve të gjësendeve të paligjshme.
Ai ka propozuar që armët e sekuestruara t’i jepen në përdorim Policisë së Kosovës.
“Sa i përket asaj që janë sekuestruar 600 armë të gjata dhe 700 armë të shkurta. Mendoj se duhet të flasim me Policinë e Kosovës që këto armë të mos asgjësohen por tu jepen atyre për përdorim, në mënyrë që të kursehet buxheti i shtetit. Nuk kemi rezultate konkrete te pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit”, tha Lumezi gjatë mbledhjes.
Në mbledhje u diskutua edhe për rastet e dhunës në familje, ku u propozua që këto raste të trajtohen nga prokurorë të specializuar.
“Kemi raste të shkeljes së urdhrave mbrojtës, në këto raste prokurorët duhet të ndërmarrin masa ndaj atyre personave që nuk i zbatojnë ato urdhëra, pasi shkelja e këtij urdhëri është vepër penale”, përfundoi kryeprokurori i shtetit.