Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim elektoral në Hajvali, ku ka folur për projektet dhe investimet që, sipas tij, janë planifikuar për Kryeqytetin.
Përmes një postimi, Abdixhiku ka përshkruar atmosferën në tubim si një mobilizim të madh qytetarësh dhe një shenjë të besimit për ndryshim.
“Hajvalia sonte. Çfarë pritje. Çfarë energjie. Çfarë entuziazmi. Si rrallëherë më parë. Plot njerëz, plot zemër, plot besim se bashkë mund ta bëjmë ndryshimin që i duhet vendit”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka deklaruar se gjatë këtij takimi janë zotuar për 1.5 miliardë euro investime në Prishtinë, të cilat sipas tij do të fokusohen në infrastrukturë moderne, mësim tërëditor, përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe projekte të tjera për qytetarët.
“Sonte, u zotuam edhe për 1.5 miliardë euro investime në Kryeqytet; për infrastrukturë moderne, mësim tërëditor, shëndetësi më të mirë dhe projekte që e bëjnë jetën më të dinjitetshme për secilin qytetar të Prishtinës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka kërkuar mbështetje për kandidatët e Degës V të LDK-së në Prishtinë, Bekim Gashi me numër 59 dhe Sami Boroci me numër 52.
Në fund, Abdixhiku ka falënderuar qytetarët e Hajvalisë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen në tubim.