Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja nuk do konflikt të hapur ndërkufitar dhe për këtë është pajtuar edhe qeveria në Prishtinë. Ajo tha se i takon tani qeverisë së Kosovës që ta gjejë mënyrën e votimit në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit.
Lunaçek theksoi se çështja e liberalizimit të vizave është në duart e Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi dhe njëkohësisht në qeverinë e Kosovës, që duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar, dhe nëse kjo nuk ndodh deri më 5 shtator, nuk mund të sigurohet as votimi në Parlamentin Evropian.
Sipas Lunaçek, Kosova duhet të përfundojë me dënimet e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian votoi të enjten në mbështetje të liberalizimit të vizave për Kosovën, pas shtyrjes së votimit në një komitet tjetër, nga raportuesja Tanja Fajon.
Zonja Lunaçek, Komiteti për Politikë të Jashtme votoi për liberalizim të vizave për Kosovën, një ditë pasi një komitet tjetër, ai LIBE, e shtyu votimin për shtator. Çka do të thotë kjo tani për Kosovën?
Është hapi i parë në Parlamentin Evropian. Ka një procedurë të gjatë në Parlament për të dhënë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave për Kosovën. Komiteti që udhëheqë është Komiteti LIBE, që merret me çështjet e lirive qytetare, drejtësi dhe çështjet e brendshme, ku votimi është shtyrë gjatë ditës së djeshme ngaTanja Fajon, raportuesja për liberalizim të vizave. Ky është Komitet udhëheqës. Komiteti për Politikë të Jashtme i jep një mendim komitetit LIBE dhe kjo ndodhi. Pra, komiteti për Politikë të Jashtme është hapi i parë që thotë ‘e duam udhëtimin e lirë pa viza për Kosovën’. Më vjen mirë që kemi pasur një votim të mirë dhe kemi marrë një mbështetje të mirë dhe tani kjo është një porosi për Kosovën.
Komiteti tjetër udhëheqës, LIBE, dëshironte të votonte javën e ardhshme, por Tanja Fajon, pas marrëveshjes që kishim bashkërisht, tha se ai ishte komiteti kryesor në Parlamentin Evropian përpara se çështja të shkojë në sesionin plenar dhe meqë Kosova nuk e kishte ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, si dhe qeveria nuk e kishte përmbushur kushtin e dokumentimit të dënimeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë – dy kushte që duheshin plotësuar – u morëm vesh se porosia për Kosovën është se tani politikanët e Kosovës e kanë në duart e tyre ta bindin Komitetin LIBE deri në shtator, dhe pastaj edhe sesionin plenar të Parlamentit, dhe gjithsesi edhe Këshillin, ku ministrat e brendshëm të vendeve anëtare duhet ta japin dritën e gjelbër.
Me qëllim që të kemi një votim të mirë në Komitete dhe në Parlament është me rëndësi që politikanët e Kosovës në Kuvend ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi dhe gjithashtu që qeveria ta përmbushë kushtin që të dëshmojë qartë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Opinioni në Kosovë, dy ditët e fundit e ka pak të paqartë se çfarë po ndodh në fakt. Komiteti LIBE e shtyu votimin, tani Komiteti AFET e votoi liberalizimin. A nuk është kjo një lloj përplasje mes komitetesh?
Jo. Unë po provoja ta qartësoja. Komiteti LIBE është kryesori. Ai është që duhet të marrë vendimin përfundimtar përpara se të shkojë në sesion plenar. Komiteti për Politikë të Jashtme është i pari që duhet të jap dritën e gjelbër dhe pastaj është dashur të kalojë tek Komiteti LIBE javën e ardhshme, por u shty për shkak të mos përmbushjes së dy kushteve nga Kosova.
Ne u pajtuam për këtë procedurë, që edhe u bë, dhe nuk ka të bëjë me përplasje. Kjo i dëshmon Kosovës një siguri se nëse përmbushë kushtet atëherë do ta ketë dritën e gjelbër. Meqë Komiteti për Politikë të Jashtme ishte më i njoftuar me rrethanat në Kosovë, ishte më e lehtë që të kishim një votim.
Komiteti tjetër, LIBE, merret me çështjet e brendshme dhe me sistemin e drejtësisë dhe parlamentarët atje janë më të shqetësuar për mospërmbushjen e kushtit për dënimet. Kjo është procedura; Komiteti për Politikë të Jashtme që ka votuar si i pari, Komiteti LIBE e ka shtyrë votimin për shtator, me qëllim që të ketë një votim të mirë atje dhe që t’i ketë të gjithë anëtarët në mbështetje, por që kjo të ndodh në Komitetin LIBE – që siç thash është kryesori në Parlamentin Evropian – duhet që të përmbushen kushtet në Kosovë.
Por, skena politike në Kosovë është e papajtueshme për çështjen e demarkacionit. Si mendoni se deri në shtator gjërat mund të ndryshojnë?
Unë vazhdimisht ju kam thënë politikanëve të Kosovës, edhe atyre në qeveri edhe në opozitë, se ne në BE nuk duam asnjë konflikt të hapur ndërkufitar dhe kjo është një gjë për të cilën qeveria është pajtuar. Është çështje e qeverisë që të gjejë mënyrën e votimit në Kuvend. Unë jam e informuar mirë se si ka shkuar demarkacioni dhe nëse i shihni rregullat në hollësi; secili qytetar që ka tokën e tij do të vazhdojë ta ketë tokë të tij. Pra, nuk humbet asgjë dhe nuk i merret Kosovës asgjë.
Unë i bëj thirrje Kuvendit të Kosovës dhe atyre që janë kundër, dhe do të votojnë kundër, që ta vendosin lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në nivelin e lartë dhe ta votojnë. Edhe unë edhe Tanja Fajon dhe shumë anëtarë të tjerë të Parlamentit kemi luftuar që ta bindim Komisionin të hap dritën e gjelbër për lirinë e lëvizjes dhjetorin e kaluar.
Nuk është kjo për ne, por për qytetarët e Kosovës. Është diçka që unë e kam dëgjuar për vite të tëra se qytetarët e Kosovës e duan dhe unë e them se e kanë merituar, sepse të gjithë qytetarët e tjerë nga të gjitha vendet e tjera përreth Kosovës janë të lejuar të udhëtojnë pa viza në BE. Unë dua që kjo të përmbushet jo për mua, por për qytetarët e Kosovës që të mos shkojnë më tek asnjë ambasadë as konsullatë, që të kërkojnë viza dhe që të lëvizin lirshëm, kudo, për të takuar anëtarët e familjes që i kanë gjithandej BE-së dhe gjithashtu edhe për turizëm.
Çelësi është në duart e politikanëve të Kosovës. Çelësi për të hapur derën e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj se politikanët e Kosovës, nga qeveria dhe opozita, do të marrin përgjegjësinë për këtë dhe do të votojnë për dhe t’i japin këtë liri të kërkuar aq gjatë për qytetarët e Kosovës.
Çfarë konkretisht kërkoni nga pala kosovare kur bëhet fjalë për dokumentim të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më thoni çka konkretisht?
Dëshmitë konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të ofrohen. Duhet thjeshtë të publikohen, duhet të ketë dënime për këto raste të nivelit të lartë. Duhet të dokumentohet, të publikohet dhe kjo është ajo që nevojitet.
Atëherë, kur prisni që Parlamenti Evropian ta hap votimin për liberalizim të vizave, marrë parasysh se një komitet ka votuar për, e një tjetër e ka shtyrë votimin.
Kjo tani është në duart e politikanëve të Kosovës. Nëse nuk e kemi votimin për demarkacion dhe gjithashtu nuk ka dëshmi për dënime deri më 5 shtator, nuk jam e sigurt se Parlamenti dhe Komiteti LIBE do ta votojnë. Nëse kjo bëhet, atëherë komiteti LIBE do të votojë pro dhe pas kësaj edhe sesioni i Parlamentit. Por, nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk do të bëhet kjo gjë.