Nënkryetarja e Parlamentit Europian dhe Raportuesja për Kosovën Ulrike Lunacek, në një reagim të saj pas publikimit të raportit të KE-së ka thënë se politikanët e Kosovës e kanë në dorë çelësin për liberalizimin e vizave.
Lunacek ka theksuar se dy kushte mbesin për këtë: miratimi i demarkacionit dhe dënimet e personave të nivelit të lartë për korrupsion.
Ajo është e bindur se qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e vizave për tre muaj udhëtim në vendet e evropiane.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:
Jam e bindur se qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e vizave për tre muaj udhëtim në vendet evropiane, sa më shpejt që të jetë e mundur. Mungesa e perspektives për liritë e udhëtimit që shijohen çdo kund tjetër në rajon, është situatë e papranueshme të cilës duhet dhënë fund.
Drita e gjelbër nga Komisioni për liberalizim të vizave sapo dy standardet e mbetura të plotësohen, është lajm shumë i mirë. Topi tani është në fushën e Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo do të thotë se politikanët kosovarë e kanë në dorë çelësin për liberalizimin e vizave: ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi duhet të bëhet patjetër.
Dhe, natyrisht që Qeveria e Kosovës duhet ta plotësojë standardin e dytë: të bëjë përparim të më tejmë në dënimin e personave të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar. Si raportuese, ju ofroj përkrahjen e plotë dhe do të bëj gjithçka në fuqinë time për ta përkrahur Kosovën edhe më tej në këtë rrugë.