Zgjedhja e Donald Trumpit president i ShBA-së nuk është lajmi më i mirë për Kosovën. Një president që ndihet krenar për marrëdhëniet e mira me Putinin për shtetet e Ballkanit nuk është e pëlqyeshme.
Këto komente i bëri nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila vizitoi Kosovën me ç’rast mbajti edhe një konferencë për shtyp.
“Unë, personalisht, do të parapëlqeja që Hillary Clinton të fitonte. Sepse ai (Trump) është një president i cili ndihet krenar për marrëdhëniet e mira me Putinin. Ne në Bashkimin Evropian dhe në Ballkan nuk i duam këto synime”, ka deklaruar Lunaçek, raporton Ekonomia Online.
Liberalizimi varet nga puna e politikanëve kosovarë
Duke folur për Raportin e Progresit, Lunacek tha se Kosova ka bërë hapa përpara, por të pamjaftueshëm për të marrë liberalizimin e vizave.
Ajo përsëriti se Kosova duhet për plotësojë dy kushte, ratifikimin e demarkacionit dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Unë kam pyetur gjithë liderët e partive politike dhe qeverinë për ratifikim të Demarkacionit. Ata thonë që kanë pasur kushte të tjera. Por secili shtet ndryshe ka situatën. Migrimi ka qenë një problem i madh sepse ata lanë vendin e tyre për një jetë më të mirë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të shohin shtetet evropiane. Fati i qytetarëve të këtij vendi është në duart e politikanëve të Kosovës. Hapi i radhës do jetë vetëm nëse politikanët punojnë më shumë për Kosovën”, ka pohuar ajo.
Ajo ka shtuar se Kosova dhe BE-ja janë partner dhe duhet të bashkëpunojnë mes vete.
“Kosova duhet ta kryejë pjesën e vet, i lus politikanët që të bëjnë atë që duhet të bëjnë në mënyrë që të arrijnë qëllimet e tyre për qytetarët e këtij vendi”.