Ish-komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku është liruar dje nga të gjitha akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës.
Lushtaku gjatë një interviste të shkurtë për Telegrafin ka thënë se pas lirimit të tij nga burgu, emocionet vazhdon t’i ketë të përziera pasi që siç shprehet ai “një pjesë e bashkëluftëtarëve të mi kanë mbetur prapa grilave”.
“Është mirë me ardh në shtëpi nga gjithë kjo padrejtësi që ka ndodhë. Nuk është e lehtë për mu që unë sot jam këtu ku jam, ndërkaq bashkëluftëtarët e mi janë nëpër burgje të Kosovës”, tha Lushtaku.
Duke folur rreth kthimit të tij në aktivitetet politike, Lushtaku theksoi se nuk do të largohet nga politika, dhe se nuk e beson që do të rikandidohet për kryetar të Skenderajt.
“Nuk do të iki nga politika, por nuk do të jem as afër as larg, aty diku. Rreth rikandidimit tim për kryetar komune nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Lushtaku për Telegrafin.
Ish-komandanti i UÇK-së, komentoi edhe zgjedhjen e të birit Mërgim Lushtaku, deputet, duke thënë se tashmë ka ardhur koha e gjeneratave të reja, dhe se do t’i mbështesin.
Pavarësisht kritikave të vogla që ka ndaj PDK-së, Sami Lushtaku theksoi se ka raporte të shkëlqyera me kryetarin e partisë, Kadri Veselin.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve ku PDK së bashku në koalicion me AAK-në dhe Nismën arriti të sigurojë numrin e deputetëve gati po aq sa në legjislaturën e kaluar, Lushtaku theksoi se “PDK ka humbur kontaktin me bazën”.
Sami Lushtaku ka theksuar se dëshira e tij nuk ka qenë që nipërit dhe mbesat të rriten në Kosovën në çfarë jemi sot dhe me një sistem të drejtësisë siç është sot.