Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare nuk do të mund të gjykohet nga Gjykata Speciale për veprat e njëjta për të cilat akuzohej dhe u shpall i pafajshëm sot nga Gjykata Supreme në Kosovë.
“Për këto raste nuk mund ta gjykojë më as Gjykata Speciale”, ka thënë Koci, njofton Klan Kosova.
Avokati që ka punuar për vite të tëra në këtë lëndë, pohoi se vendimi i sotëm ishte drejtësi e vonuar, porse megjithatë drejtësi.
“Sami Lushtaku është akuzuar i pafajshëm, na u deshën shumë vjet për ta dëshmuar këtë pafajësi, por më në fund drejtësia fitoi”.
“Ka qenë një ekip shumë i madh i hetuesve vendorë e të EULEX-it, kurse ne kemi qenë një ekip i vogël, ekip shqiptar i tëri, dhe kemi dëshmuar që edhe ne mund të merremi me raste të tilla të profilit të lartë”.
“Unë besoj fuqishëm që as nuk ka pasur bazë të ngritët aktakuza”.
Koci, duke folur për disa deklarime të ndryshme të komentuesve që thoshin se nuk varej pastërtia e luftës së UÇK-së as nga dënimi, por as nga lirimi i Lushtakut, ka pohuar se megjithatë është tejet e rëndësishme për vet UÇK-në, shpallja si i pafajshëm për një nga komandantët kryesor të ushtrisë çlirimtare.
“Sami Lushtaku ka qenë një prej komandantëve më të njohur të UÇK-së, prandaj nuk do të ishte njësojë sikur të dënohet një ushtar i thjeshtë, sikur të dënohet një komandat i njohur. Prandaj mendoj se kjo e dëshmon që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër”
Koci ka treguar se “vendimi i sotëm është marrë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe gjyqtar vendor”.
Ai shpreson se “ky rast do ta kthejë besimin në sistemin e drejtësisë”.