Lutfi Haziri ka thënë se koalicioni me Shpend Ahmetin ka vendosur ta lë LDK-në jashtë dialogut me Serbinë.
Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook e ka bërë të ditur se kjo gjë ka shkelur mbi vullnetin politik të partisë më të madhe në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Harizi ka thënë se askush nuk mund ta ndajë Kosovën pasi çdo marrëveshje duhet të marrë 2/3 e deputetëve të Kuvendit.
“Dialogu i brendshëm dhe rezolutat e ofruara nuk iu mjaftuan, por i shikuat numrat në sallë dhe kërkuat të tregoni forcën e numrave. Por, forca e numrave nuk iu siguron ratifikim”, ka shkruar Haziri.
Ai po ashtu shtoi se as PSD dhe as Qeveria s’do të mund ta ndajnë Kosovën.
“E keni ndarë politikën e Kosovës, mirëpo nuk mund ta ndani Kosovën kurrë. Ajo do të bëhet edhe më e madhe dhe më unike. Për këtë ju siguroj. Ashtu siç e siguruat ekipin e presidentit Thaçi! Puna e mbarë pa Ne!”.
Të shtunë në mbrëmje, PSD iu bashkua Qeverisë në dialog me Serbinë. Shpend Ahmeti u votua si bashkëkryesues me Fatmir Limajn në dialogun e udhëhequr prej Presidentit Hashim Thaçi.