Lëvizja Vetëvendosje në konferencën për media kanë treguar pasojat e bllokimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se me mosdekretimin e anëtarëve të KQZ-së presidenti me këtë veprim është duke bllokuar veprimtarinë e partive opozitare të cilat varen nga fondet e KQZ-së.
Ajo tha se për këtë gjë do ishte dashur që edhe partitë në pushtet të shqetësoheshin, por sipas saj këto parti kanë edhe të tjera mënyra për të mbijetuar, raporton Ekonomia Online.
“Nuk ka ditë që ky president nuk po na jep prova që jo vetëm se nuk është president konsensual, por që nuk përfaqëson vullnetin e popullit, nuk jep prova që e respekton vullnetin e popullit të dalë nga të zgjedhjet e vitit 2017 për më tepër ai po bën të pamundurën për ta bllokuar veprimtarinë e opozitës me mosdekretimin e anëtarëve të KQZ-së dhe me bllokimin fondeve që u takojnë partive e në veçanti shihet se qëllimi është të bllokohet veprimtaria e opozitës që varet nga këto fonde dhe ne shprehim këtë pakënaqësi të madhe edhe pse edhe partitë në pozitë do ishte dashur të brengosen për këtë fakt por siç duket ata kanë mënyra tjera të mbijetesës”, tha Kollçaku.
Kollçaku tha se është shqetësim i madh që KQZ-ja ka mbetur e bllokuar tash e sa muaj dhe presidenti po e lejon këtë gjë.
“Ne shprehim shqetësimin e madh për mosdekretimin e anëtarëve dhe na habit fakti se si ky president ia lejon vetës duke mos marr këtë vendim që i takon atij”, shtoi ajo.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se bllokimi i KQZ-së nga ana e presidentit po e vë në pikëpyetje edhe cilësinë dhe shërbimin që ky institucion e ofron, raporton EO.
“Është e domosdoshme që KQZ-ja të jetë institucion i pavarur në punën e tij kushtetues nga përbërja me integritet dhe transparencë, çfarë kemi parë gjatë një viti ka qenë bllokimi i KQZ-së nga ndërhyrja e presidentit duke mbajtur peng emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga tendenca e tij për të ndryshuar përbërjen e tij në mënyrë antikushtetuese”, tha Rrustemi.
Rrustemi tha se ky bllokim i KQZ-së i ka shkaktuar shumë probleme këtij institucioni i cili këtë vit priste shumë punë.
“Ndërprerja një vjeçare ka shkaktuar dëme të pakompenzueshme, dëmi që është bërë tani do të vërehet edhe në të ardhmen sepse punët e ndaluara do ndikojnë në cilësinë e aktiviteteve dhe shërbimeve që ofron e KQZ-ja”, tha ai.
Rrustemi ka përmendur dëmet që ky bllokim po i shkakton KQZ-së.
“Është pamundësuar marrja e çfarëdo vendimi nga ana e KQZ për një vit, 37 asamblistëve i është pamundësuar puna e tyre në disa komuna kjo ka ndikuar në marrjen e vendimeve, një deputet ka mbetur pa mandat, 13 subjekte politike që 3 muaj kanë mbetur pa fonde që ua garanton ligji, është bllokuar zgjedhja e drejtorit ekzekutiv të zyrës për regjistrimin dhe certifikimin e partive politike ZRPP është pa drejtor dhe staf dhe zëvendës kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ, më 2 prill i përfundon kontrata edhe kryeshefit ekzekutiv dhe për pasojë defunksionalizohet edhe administrata”, tha ai.
“Në mungesë të KQZ-së nuk janë shqyrtuar dhe adresuar rekomandimet e auditorit të përgjithshëm, është pamundësuar realizimi i planit të punës të vitit të kaluar, nuk mund të i raportoj Kuvendit për punën 1-vjeçare siç e ka obligim ligjor për muajin prill, janë pamundësuar apo dëmtuar shumë projekte të rëndësishme për përmirësimin e zgjedhjeve dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, është vënë në dyshim integriteti i KQZ-së dhe i vetë zgjedhjeve”, shtoi Rrustemi.