Kanë kaluar një muaj e gjysmë nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto dy parti kanë zhvilluar takime në nivelin e grupeve punuese me qëllim të harmonizimit të programit të tyre qeverisës marrë parasysh synimet që së bashku, ta formojnë qeverinë e re të Kosovës pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas takimeve në nivelin e grupeve punuese, tani kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pritet të diskutojnë në lidhje me ndarjen e pushtetit, që nënkupton ndarjen e posteve, nga pozita e kryeministrit e cila tashmë është përcaktuar si pajtim i të dy partive për Albin Kurtin, e deri te ndarja e posteve ministrore e nën-ministrore.
I bindur se do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar para takimit se me Isa Mustafën pret që të merren vesh në lidhje me qeverinë e re.
“Ne duhet të ecim me shpejtësi drejt formimit të qeverisë, sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve. Unë besoj se duhet të diskutojmë dhe besoj se është mirë që t’i diskutojmë të gjitha çështjet, sepse në fillim të javës së ardhshme do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe është mirë që të mos humbim kohë. Pra, nuk është e thënë që t’i mbyllim temat, por mendoj që është koha t’i hapim ato”, ka thënë Kurti.
Duke analizuar procesin e deritashëm të negociatave për qeverinë e re, analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi i deritanishëm te mungesa e arritjes së një marrëveshjeje në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së ka të bëjë me postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
“Duket se problemi më i madh në arritjen e marrëveshjes ose në mos arritjen e deri tashme të marrëveshjes ndërmjet këtyre dy partive është posti i presidentit, LDK kërkon që këtë post ta marrë për vete dhe për më tepër të merret vesh tash me Vetëvendosjen se si do të rrjedhin gjërat pasi të përfundojë zoti Thaçi mandatin. Ndërkaq, Vetëvendosja duket se nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë, duke kërkuar një president konsensual”, thotë Mushkolaj.
Ai gjithashtu tha se certifikimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm, por nuk do të duhej që të zmbrapste të dyja partitë në arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e qeverisë së re.
“Certifikimi i zgjedhjeve nuk do të duhej që LDK-në dhe Vetëvendosjen t’i zbrapste ose t’i ndalonte nga arritja e marrëveshjes për shkak se tashmë siç kam thënë përfaqësues të të dyja partive shumica e programit qeverisës është dakorduar, por natyrisht se certifikimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm sidomos për Lidhjen Demokratike të Kosovës për të parë saktësisht se çfarë fuqie politike ka karshi Vetëvendosjes në mënyrë që pastaj ta rrisë “pazarin” kushtimisht thënë, në marrëveshjen për koalicionin,” tha Mushkolaj.
Sipas Mushkolajt, qytetarët e Kosovës nuk e kanë luksin që për shkak të ambicieve politike të të dyja partive, siç thotë ai, të bllokohet formimi i institucioneve të reja.
Në ndërkohë, procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po shkon drejt fundit.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Pasi që të përfundon rinumërimi, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, më nuk ka afat të ankesave. Pra, është afati i fundit në ditën e fundit të rinumërimit, dhe pas kësaj, nëse nuk kemi ndonjë ankesë tjetër jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”, tha Daka.
Kryetarja e KQZ-së, nuk deshi të japë ndonjë datë të saktë se kur do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, por sipas saj, mund të ndodhë që kjo të bëhet javën e ardhshme.
“Nuk kisha dashur të jap ditë apo datë të certifikimit sepse duhet së pari të presim ta përfundojnë rinumërimin dhe pas asaj mund të flasim për data eventuale”, u shpreh Daka.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.