LVV: Kuvendi do që të heshtet vdekja e Astrit Deharit

Prishtinë | 17 Nën 2016 | 14:04 | Nga

Përmes një komunikatë për media Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se Kuvendi nuk po tregon gatishmëri për të diskutuar për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e rrjedhimisht po kërkon që të heshtet vdekja e tij, për të cilën është përgjegjës shteti i Kosovës. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë që kjo çështje të diskutohet, dhe në vazhdimësi do të angazhohemi që ky rast të zbardhet dhe drejtësia të vendoset.

Pasi që ishin bërë dhjetë ditë nga vdekja e aktivistit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe institucionet e rendit dhe drejtësisë nuk dhanë kurrfarë sqarime për vdekjen përveçse deklarata kontradiktore e të pamatura, Lëvizja Vetëvendosje mblodhi 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare, kanë shkruar LVV në komunikatën për media.

Tutje në komunikatë thuhet se Kërkesa në emër të Lëvizjes Vetëvendosjes është mbështetur nga AAK e NISMA, si dhe disa deputetë të tjerë , dhe më pas u dorëzua nga Visar Ymeri me datën 15 nëntor pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa sipas LVV ishte për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, përmes të cilës synohej edhe nxjerrja e një rezolute që kërkon hetim të pavarur për rastin, marrë parasysh administrimin e keq që i është bërë rastit nga organet kompetente vendore.

Sipas LVV trysnia e pushtetit ka ndikuar që deputeti Bislim Zogaj të heq dorë nga nënshkrimi i tij për seancën e jashtëzakonshme për Astrit Deharin.

Pas zëvendësimit të nënshkrimit të Zogajt, Kryesia e Kuvendit sipas Vetëvendosjes neglizhoi mbajtjen e mbledhjes së radhës të cilën edhe e kishin kërkuar këta të fundit. Në komunikatë thuhet se pasi që u ushtrua trysnia e radhës edhe për deputet, Danush Ademi dhe Veton Berisha tërhoqën po ashtu njëjtë si Zogaj nënshkrimin e tyre për seancën e dedikuar Astrit Deharit.

Arsyetimet në të tri rastet ishin përafërsisht të ngjashme, duke thënë që e shohin të udhës të pritet raport nga organet e hetuesisë dhe të merret vesh me shumë për rastin. Por, ky ishte vetëm arsyetimi formal e publik, pasi që në bisedat private me deputetët e opozitës, ata kanë pranuar trysninë që është ushtruar ndaj tyre nga partitë e koalicionit qeverisës – PDK e LDK, thuhet në komunikatën e LVV.

Gjatë ditës së sotme, ku u mbajt mbledhja tjetër e Kryesisë së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte prezentë në këtë mbledhje, kurse anëtarët e AAK-së e lëshuan mbledhjen, transmeton EkonomiaOnline.

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri, cili deklaroi se vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se qytetarët e Kosovës sot e kanë humbur besimin e drejtësisë nga këto institucione. Gjatë kësaj kohe, deputetët e kësaj lëvizje shpalosën një pano me mbishkrimin “DREJTËSI!”

Edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, propozoi në përputhje me Nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet si çështje urgjente, për çfarë pati mbështetje nga dy partitë opozitare, AAK e NISMA, por jo edhe nga LDK e PDK.
E në votimin që u mbajt në mungesë kuorumi, votuan 45 deputetë, prej të cilëve 25 votuan për, 16 ishin kundër dhe 4 nga ta abstenuan.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme