Macron paralajmëron konferencë për Ballkanin Perëndimor: Prioritet i presidencës franceze, do e ndihmojmë

Prishtinë | 10 Dhj 2021 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se gjatë Presidencës Franceze të Bashkimit Evropian do të organizojë edhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

Ai e bëri këtë pohim gjatë një konferencë për shtyp, ku ka folur gjerësisht mbi prioritetet e kësaj presidence që nis në 1 janar 2022.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, tha Macron.

Ai theksoi se rajoni është duke kaluar aktualisht në një fazë tensionesh.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, u shpreh presidenti francez.

Ai shtoi se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, sepse, siç është shprehur, “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme, nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”, një paralajmërim që vjen pasi Franca në vitet e fundit ka qenë ndër shtetet më skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së.

Të ngjashme