Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se kurrë nuk do të kërkojë stigmatizimin e ndonjë operatori të telekomunikacionit, ose të ndonjë vendi të veçantë.
Ai këto komente i bëri, pasi u pyet lidhur me rreziqet e mundshme të sigurisë, që paraqet kompania kineze Huawei.
Ministrja e ekonomisë franceze, Agnes Pannier-Runacher, ka thënë këtë javë se Franca nuk do të përjashtojë Huawei-in nga rrjeti i saj i gjeneratës së ardhshme 5G, ashtu siç kanë vepruar Shtetet e Bashkuara.
Ajo ka thënë se megjithatë Franca, do të ketë fuqinë të kundërshtojë të gjithë prodhuesit e pajisjeve, nëse do të kishte ndonjë kërcënim të mundshëm të sigurisë.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve tjera të mos bashkëpunojnë me kompaninë kineze pasi “ajo paraqet rrezik për sigurinë”.
SHBA-ja thotë se Huawei është i lidhur me qeverinë kineze.
Huawei dhe Kina kanë mohuar akuzat.
“Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar më 20 gusht, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Më 21 nëntor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se i ka kërkuar shefit të kompanisë amerikane të teknologjisë, “Apple”, Tim Cook, të angazhohet dhe të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit 5G.
Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të qasjes në internet që karakterizohet me një shpejtësi të madhe të shkarkimit.