Nisi nga një mjedis i vogël për t’u bërë futbollist i madh. Më i madhi madje. Periudha më e suksesshme e futbollit të Kosovës është e lidhur me të.
Klubi më i madh i futbollit në vend është bërë i tillë falë tij, falë Fadil Vokrrit, legjenda e futbollit që ndërroi jetë të shtunën paradite pas një sulmi në zemër, shkruan sot “Koha Ditore”. Vokrri ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare, kurse trashëgimia e tij për futbollin dhe sportin, për vendin në përgjithësi, vlerësohet e jashtëzakonshme.
Madhështinë që kishte si lojtar e vazhdoi edhe si drejtues. Një periudhë tjetër e rëndësishme e futbollit të Kosovës vlerësohet ajo e pranimit në UEFA e FIFA, asociacionet ndërkombëtare të sportit numër një.
Dhe Vokrri udhëhoqi Kosovën në proceset shumë të vështira të pranimit në FIFA e UEFA. E udhëhoqi në cilësinë e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Vokrri e la futbollin e Kosovës në situatë shumë më të mirë se që e gjeti kur erdhi në krye të tij. E la si anëtare të FIFA-s e UEFA-s, me përfaqësuese të konsoliduar që ka fituar katër ndeshjet e fundit miqësore, me përfaqësueset e tjera me rezultate solide dhe me organizim të mirëfilltë, me klube pjesëmarrëse në garat evropiane, me ligë që po ngrihet gjithnjë e më shumë, me klube që po forcohen e futbollistë që po vlerësohen shumë më tepër se më parë.