Mair: Në fillimin e 98-ës s’ka pasur strukturë me zingjirë komanduese por grumbullim të njësive lokale-guerile

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Chad Mair i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit ka thënë se në pjesën e parë të 1998-ës nuk ka pasur strukturë me zingjirë komanduese por grumbullim të njësive lokale-guerile që kanë veprua në mënyrë të pavarur dhe horiziontale.

Ai tha se edhe brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë moment kohor nuk ka pasur strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive.

“Kjo nuk është strukturë me zingjir komanduese por grumbullim i njësiteve lokale, njësitet guerile që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe  horizontale pa ndonjë kohezion apo unitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë moment kohor nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, tha avokati Mair.

Përpara kësaj, avokati Mair tha se shumë ushtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe komandantët, gjatë kësaj periudhe kohore nuk e dinin as ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të cilët ishin pjesë të tij.

“Provat dëshmojnë se gjatë pjesës më të madhe të 1998-ës ka patur pak lidhje midis këtyre njësiteve dhe kishte një lidhje shumë të dobët me Shtabin e Përgjithshëm. Lidhje shumë e dobët kur e themi këtë është se shumë ushtarë të UÇK-së duke përfshirë komandantët nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre dhe thjeshtë”, tha ai.

Përveç kësaj, Mair tha se në atë kohë, vetë zonat ishin në zhvillim e sipër, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Vetë zonat ishin në zhvillim e sipër dhe pjesën më të madhe të paformuara. Kjo vlen për pjesën e parë të 1998-ës”, tha avokati Mair.

Tutje, Mair tha se është e rëndësishme mungesa e provave që Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritetin për të përcaktuar detyra apo për të zbatuar urdhra.

“E rëndësishme është mungesa e provës që Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritet për të përcaktuar detyra apo për të zbatuar urdhra”, tha ai.

Mair tha e kishte ndërmend që të parashtronte lidhur me dështimin e Prokurorisë për të vërtetuar akuzat për krime kundër njerëzimit. Megjithatë tha se duke pasur parasysh se ka parashtruar mbrojtja e Hashim Thaçit lidhur me këtë pjese, atëherë pajtohet me gjithçka që ka thënë.

Mair u rezervua në parashtrimet e tij duke thënë se parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit ishin elekuente dhe bindëse.

“E kisha ndërmend q të iu drejtohem lidhur me dështimin e Prokurorisë për të vërtetuar akuzat e tyre për krime kundër njerëzimit por duke pasur parasysh parashtrimet e z. Thaçi të mërkurën me te cilën ne pajtohemi dhe që ishin elekuente, bindëse dhe gjithçka tjetër, nuk do të përdor kohën e gjykatës për t’i përsëritur ato”, tha ai.

Të ngjashme