Majlinda Kelmendi ka vazhduar me formën e mirë në vitin 2019, duke fituar medaljen e dytë të artë këtë vit. Kampionia Olimpike dhe e botës, fitoi të artën në Grand Slamin e xhudos, që po mbahet në Dusseldorf të Gjermanisë, kategoria deri në 52 kilogramë.
Në finale, kampionia jonë mposhti Sosorbaram Lkhagvasuren të Mongolisë. Deri në finale ajo shënoi edhe katër fitore tjera. Në gjysmëfinale mundi medalisten e argjendtë të Lojërave Olimpike Rio 2016, italianen Odette Giuffrida, të cilën e kishte mposhtur vetë. Para saj kaloi edhe medalisten tjetër të argjendtë nga Rio 2016, por në kategorinë -48 kg, Bokyeong Jeong (Korea e Jugut).
Në rrethin e dytë dhe të tretë (rrethin e parë e kaloi pa luftë), Majlinda mposhti Verena Thumm të Gjermanisë dhe Eleudis Valentim të Brazilit.
Kelmendi fitoi 1000 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020. Për të është medalja e dytë e artë këtë vit, pas asaj të fituar muajin e kaluar në Grand Prixin e Tel Avivit.
Në Grand Slamin e Dusseldorfit, ekipi i Kosovës u paraqit vetëm me Majlindën.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon suksesin e radhës të heroines tonë, me në krye trajnerin kampion Olimpik, Driton Kuka.