Një karrierë të tërë ka zhvilluar Majlinda Kelmendi pas paraqitjes së fundit në Duesseldorf të Gjermanisë, ku kthehet për të garuar të premten (sot).
Në Duesseldorf gara organizohet në fund të muajit shkurt, ndërsa tani është e nivelit Grand Slam. Majlinda ka garuar në këtë qytet gjerman së fundi në vitin 2013 dhe gara atëherë ishte e një niveli më të ulët – Grand Prix, shkruan sot Koha Ditore.
Prej shkurtit të vitit 2013 e deri tash, karriera e Majlindës ishte e jashtëzakonshme. Ajo ka fituar ndër të tjera një medalje të artë olimpike, dy tituj të botës, tre tituj të Evropës, një medalje të bronztë evropiane dhe shumë turne të tjerë prestigjiozë.
Më 23 shkurt të vitit 2013, Majlinda kishte fituar medaljen e artë në Grand Prix të Duesseldorfit. Në finale e kishte mposhtur rumunen Andreea Chitu. Në Duesseldorf, kampionia kosovare ka garuar vetëm edhe në vitin 2011, kur në finale kishte pësuar nga japonezja Yuka Nishida.
Ndonëse nuk është bartësja e parë, Majlindës i parashikohet një finale tjetër në Grand Slamin që nis të premten (sot) dhe përfundon të dielën..