Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e transmetoi drejtpërdrejt ceremoninë e stolisjes së Majlinda Kelmendit me medaljen e artë të Lojërave Evropiane, ku kosovarja triumfoi në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë.
Përveç stolisjes së Majlinda Kelmendit, në videon e mëposhtme mund ta shikoni edhe momentin e antonimit të himnit të Kosovës.
Rrugëtimin drejt së artës, xhudistja pejane e filloi në fazën e 1/8 të finales, pasi që rrethin e parë e kaloi në luftë. Në rrethin e dytë ajo pati punë me zviceranen Fabienne Kocher, të cilën e mposhti në “Golden Score”.
Pas triumfit në këtë fazë, Majlinda pati punë me polaken Karolina Pienkowska, të cilën e mposhti me ippon në çerekfinale.
Paksa më të vështirë e pati kosovarja në gjysmëfinale, kur meçi me francezen Amandine Buchard u vendos vetëm në “Golden Score”. Megjithatë, Majlinda Kelmendi triumfoi edhe këtu, duke e siguruar një vend në finale dhe të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.
Por, për pejanen medalja e argjendtë nuk ishte e mjaftueshme dhe ajo u sigurua që në finale ta sigurojë medaljen e artë. Triumfi i Majlindës, bën që flamuri i Kosovës të ngrihet më së larti në Minsk të Bjellorusisë.
Xhudistja e stërvitur nga Driton Kuka e filloi këtë vit me triumf në Grand Prixin e Tel Avivit, ndërsa më vonë e fitoi edhe Grand Slamin në Dusseldorf. Më parë, ajo e kishte fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Rio 2016, ishte kampione e botës në xhudo në vitet 2013 dhe 2014, ndërsa në vitet 2014,2016 dhe 2016 ishte kampione evropiane.
Podiumi për kategorinë deri në 52 kilogramë kompletohet nga rusja Kuziutina, e cila e fitoi medaljen e argjendtë, francezja Amandine Buchard dhe britanikja Giles Chelsie.
Pas disa minutave, në Lojërat Evropiane Kosovën do ta përfaqësojë edhe Nora Gjakova, e cila po ashtu kërkon medaljen e artë në finalen kundër ruses Daria Mezhetskaia, në kategorinë deri në 57 kilogramë