Majlinda, pjesë e përballjes së ëndrrave

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Sajti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) të hënën ka publikuar momentet më interesante të vitit e po ashtu xhudistët që kanë shënuar 2019-n. Përmbledhjen e ka bërë si pjesë të “çmimeve jozyrtare të fundvitit”. Dhe një përmbledhje e tillë e momenteve kryesore të vitit në xhudo vështirë se mund të kalojë pa përfshirjen e Kosovës në të.

Është lufta e Majlinda Kelmendit me japonezen Uta Abe në gjysmëfinale të Botërorit të mbajtur në Tokio që është vlerësuar si “përballja e ëndrrave e vitit”, shkruan sot Koha Ditore.

“Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi dhe kampionia botërore, Uta Abe, më në fund u takuan në luftën më të lakmuar të të gjithë vitit. Ishte betejë fascinuese e xhudisteve nga gjenerata të ndryshme. Xhudistja e gjeneratës së re mposhti legjendën, heroinën 28-vjeçare nga Kosova. Abe e mposhti Kelmendin në Golden Score dhe më pas fitoi titullin e dytë të botës. Dy xhudistet pritet të takohen sërish në rrugën drejt Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’”, ka shkruar IJF-ja.

Në Botëror, Majlinda fitoi medaljen e bronztë, ndërsa u përball me dy xhudiste japoneze që shihen si të vetmet konkurrente të vërteta të saj. Kampionia olimpike këtë vit ka fituar edhe titullin në Lojërat Evropiane që në xhudo shërbyen edhe si kampionat evropian për seniorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme