Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi ka dhënë kontributin e saj që të ndahen mbi tetë mijë euro si ndihmë për fëmijët që vuajnë nga kanceri në Kosovë.
Ajo javën e kaluar u bë ambasadore e “Care for Kosovo Kids” dhe ofroi ndihmë konkrete për këtë organizatë që siguron medikamente për fëmijët që janë duke u trajtuar nga kanceri në Qendrën spitalore në Prishtinë.
Majlinda dhuroi për organizatën, përkatësisht e ofroi për ankand pjesën e prapme të kimonos, me të cilën u paraqit në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Pjesa e kimonos, e njohur edhe si numri i shpinës, është pjesa ku shkruan emri i xhudistes, vendi i saj dhe logoja e Lojërave Olimpike. Numri me nënshkrimin e Majlindës në të është vënë në ankand online të premten e kaluar, ndërsa ankandi është mbyllur të premten mbrëma.