Mali i Zi dhe Kroacia do të ndalojnë eksportin e armëve për sauditët

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Si Kroacia, ashtu edhe Mali i Zi janë duke diskutuar mundësinë e ndalimit të eksporteve të armëve drejt Arabisë Saudite, për shkak të vdekjes së gazetarit disident, Jamal Khashoggi.

Vende të tjera të rajonit, deri tani nuk kanë marrë ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me çështjen, që kur Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh këtë fundjavë se eksporte të tilla drejt mbretërisë së gjirit duhen pezulluar, për sa kohë vazhdon të ketë pyetje pa përgjigje që rrethojnë vdekjen e reporterit, transmeton tch.

Përpara deklaratës së Merkelit, edhe politikanë të tjerë në zë gjermanë kishin kërkuar ndërmarrjen e një lëvizjeje të tillë. Ministria e Jashtme kroate pohoi për “BIRN” se, Zagrebi është duke e diskutuar çështjen me partnerët e saj në Bashkimin Evropian, e citoi për këtë shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ndërsa konfirmonte angazhimin e bllokut për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Mali i Zi po ashtu, edhe pse nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, e bëri të qartë se i mbështet plotësisht pozicionet e Brukselit lidhur me politikën ndaj vendeve të treta në këtë zonë, përfshirë këtu kufizimet dhe sanksionet.

Ndërkohë nuk ka një reagim nga vendet e tjera ballkanike, të cilat llogaritet të kenë fituar sasi të mëdha parash nga eksporti i armëve në Arabinë Saudite gjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2016, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia u shitën sauditëve armë dhe municione për një shumë që mbërrin në total 118 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme