Historia e dy shekujve të fundit është thuajse e kundërta e periferisë gjeografike të Malit të Zi si një vend i përhumbur në pjesët malore të Ballkanit Perëndimor. Prej njohjes së pavarësisë së shtetit të drejtuar nga dinastia e Petroviqëve më 1878 e deri te ripavarësimi më 2006, dy projekte të përkundërta kanë fytyrëzuar historinë e tij.
Paqja gati e pamundur me Serbinë fqinje, që ka diktuar jo pak edhe dinamikat e brendshme, sipas studiuesve, është fryt i ballafaqimit të dy traditave shemra mes vetë malazezëve: srptsvo (serbizma) dhe crnogorstvo (malazezima).
Në zemër të së parës qëndron mëtimi që i mëshon theksimit të karakterit serb të malazezëve, duke i paraqitur ata si “pjesë e pashqitshme e korpusit kombëtar serb”.
E dyta traditë i kundërvihet vendosshmërisht këtij mëtimi, duke theksuar të drejtën e malazezëve për t’u spikatur si komb i përveçëm, e jo thjesht si degë e kombit serb.
Sipas studiuesit nga Londra, Kenneth Morrison, që prej shekullit të 19-të, çështjet e shtetësisë, kombësisë dhe identitetit kombëtar kanë mbizotëruar politikën malazeze. Po kështu, perceptimet e përkundërta kanë qenë në zemër të jetës politike të shtetit të kapërthyer nga Kroacia dhe Bosnja në veri, Serbia dhe Kosova në lindje si dhe Shqipëria në jug.
Një identitet në pikëpyetje
Pyetjes rudimentare se çfarë nënkuptojnë termat “Mal i Zi” dhe “malazezë”, studiuesit i janë përgjigjur ndryshe-ndryshe. Sipas Jozo Tomasheviqit, i cili shkruante kah mesi i viteve ’50, ndërdyshja nëse malazezët formojnë një komb të përveçëm apo janë pjesë e kombit serb mbeti e hapur për shumë dekada në mendjet e studiuesve.
“Procesi ka evoluar prejse Tomasheviqi e bëri këtë observim dhe derisa një identitet i veçantë kombëtar malazez ka vazhduar të zhvillohet, problemi mbetet i njëjtë. Pse ky ambiguitet? Paj, përgjigjet mund të gjenden në historitë e ndërkallura të Serbisë dhe Malit të Zi dhe përvojat e tyre të përbashkëta që ngjizën identitetet e tyre”, shkruan Morrison në librin e tij “Montenegro: A Modern History” i botuar më 2009 nga Bloomsbury Academic, shkruan KOHA.
Megjithëse shumëçka është e përbashkët për serbë e malazezë, veçmas tradita fetare dhe ajo kulturore, studiuesit vënë re edhe atë që ka përcaktuar barazlargimin e tyre. Është ajo çka Elizabeth Roberts në librin e saj “Realm of Black Mountain” e kishte përshkruar si “aspekt tjetër i përvojës malazeze” duke nënkuptuar historinë, gjeografinë dhe persistencën e një shoqërie të bazuar në fise me sistemin e tyre vleror. Kjo është si e ndryshme nga Serbia ishte, para së gjithash, përvoja e veçantë historike.