Malisheva mbështet Haradinajn, kërkon heqjen e akuzave për çlirimtarët

Malishevë | 02 Shk 2017 | 14:56 | Nga

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Komuna e Malishevës kanë mbajtur një marsh protestues, kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës dhe njëherit lider i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në këtë marsh, u kërkua lirimi i Ramush Haradinajt, pasi lufta e tij dhe e UÇK-së, ka qenë luftë e pastër dhe çlirimtare, luftë e cila është dëshmuar shumë herë.

Në këtë marsh, u kërkua nga institucionet vendit që ta ndërpresin dialogun me shtetin serb, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe heqjen e akuzave ndaj çlirimtarëve.

Në këtë marsh që filloi nga hyrja e Malishevës, e deri në qendër të qytetit në “Sheshin e Dëshmorëve”, morën pjesë mijëra qytetarë të Komunës së Malishevës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, strukturat komunale të Malishevës, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në Malishevë dhe veteranë të luftës së UÇK-së.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, tha se “liria jonë, nuk ka kuptim, kur neve na burgosen çlirimtarët”.

“Ne i bëjmë thirrje shtetit mik të Francës që ta liroj Ramush Haradinajn dhe të mos bien në kurthet e shtetit serb”. Mazreku, gjithashtu foli edhe për figurën e Ramush Haradinajt dhe angazhimin e tij ushtarak dhe politik.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma për Kosovën, Enver Hoti, tha se “Ramush Haradinaj, është vet liria”.

“Shprehim indinjatën tonë për arrestimin e Ramush Haradinajt, ndaj të cilit përfundimisht në vitin 2012, në Hagë është vërtetuar se lufta e tij dhe e UÇK-së, ka qenë çlirimtare dhe e pastër. Ne ju bëjmë thirrje Francës dhe INTERPOL-it, që të mos bien në kurthet e mashtrimeve serbe”, tha deputeti Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, pasi i falënderoi qytetarët e Malishevës për mbështetjen e dhënë, tha se “Ramushi, Fatmir Limaj, Lahi Ibrahimaj dhe të tjerët, e kanë dëshmuar pastërtinë e luftës dhe se ata vet, janë të pafajshëm”.

“Deri kur kështu do të ndiqen ata që vunë gurëthemelin e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush të luaj me luftëtarët e lirisë, siç është njeriu që dha gjithçka për lirinë e vendit. Andaj, ne i themi Francës, që të mos bie pre e urdhrave serbe”, tha Lekaj, i cili theksoi se “Kosova është e varfër pa Ramushin, pasi Ramushi është vet Kosova”.

Përfaqësuesi i degës së AAK-së në Malishevë, Bashkim Krasniqi, bëri thirrje për lirimin e Ramush Haradinajt dhe për ngritjen e akuzave për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai më pas, tha se “Ramush Haradinaj, dy herë e ka mbrojtur luftën e UÇK-së në gjykatën ndërkombëtare, por kjo i pengon Serbisë, sepse pushka e Ramushit, ishte zjarr për ta”.

Edhe Sinan Gegaj, i cili foli në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Malishevë, kërkoi lirimin e Ramush Haradinajt, pasi lufta e UÇK-së dhe e vet Ramushit, ka qenë e pastër dhe e cila është dëshmuar nga vet këto shtete, siç është edhe Franca. Gegaj, pasi kërkoi, lirimin e Ramush Haradinajt, “kërkoj nga institucionet e vendit, që të ndërpritet dialogu më shtetin serb, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe heqjen e të gjitha akuzave ndaj çlirimtarëve”.

Image may contain: 25 people, crowd and outdoorImage may contain: 19 people, people standing, crowd and outdoorImage may contain: 2 people, people standingImage may contain: 2 people, textImage may contain: 6 people, sky and outdoor

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme