Komuna e Malishevës dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, janë të përgatitura për fillimin e fushatave të vetëdijesimit si masë parandaluese kundër Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), si dhe ka filluar edhe mobilizimit i stafit shëndetësor për periudhën e thumbimeve nga rriqrat, në mënyrë që të prekurve eventual nga rriqrat, t’iu ofrohet trajtimi i duhur mjekësor, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.
Për këtë qëllim, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti, sot kanë vizituar QKMF në Malishevë dhe kanë biseduar me drejtorin e QKMF-së, Nuhi Morina, për masat mobilizuese në këtë qendër shëndetësore.
Berisha ka kërkuar mobilizim dhe përgatitje të duhur nga ana e stafit mjekësor, në mënyrë që mos ketë asnjë vonesë në marrjen e masave, siç janë fushatat e ligjëratave të vetëdijesimit nëpër shkolla dhe përgatitja e stafit mjekësor për trajtimin e personave të prekur nga thumbimi i rriqrave. Berisha gjithashtu tha se “edhe masat tjera që janë kompetencë e organeve tjera komunale, janë ndërmarrë”.
Drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina, ka thënë se stafi mjekësor në QKMF, janë të përgatitur edhe për mbajtjen e ligjëratave nëpër shkollat e Komunës së Malishevës, me qëllim të vetëdijesimit kundër EHKK, e po ashtu janë të përgatitur edhe për trajtimin e rasteve të thumbimeve nga rriqrat.
Për dallim nga vitet tjera, kur rastet e thumbimeve nga rriqrat fillojnë nga muaji shkurt, këtë vit nuk është regjistruar asnjë rast i thumbimit nga rriqrat.