“Mallkimi” i pozitës Presidenciale në Kosovë

Prishtinë | 22 Nën 2024 | 16:32 | Nga Afrim Kasolli

Fjalimi i fundit i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani para deputeteve të Kuvendit të Kosovës përpos që nxori në sipërfaqe çarjen politike me Albin Kurtin, po ashtu tregoi se presidentes aktuale i zbehen gjasat në masë shumë të madhe për ta siguruar edhe një mandat në këtë pozitë.

Në këtë mënyrë atë siç duket se do ta përcjell fati politik i të gjithë presidenteve të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ku edhe pse neni 87 i Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht paragrafi 3, ia njeh të drejtën çdo kujt (që i plotëson kriteret tjera kushtetuese), pas përfundimit të mandatit të parë, do të mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë në atë pozitë.

Mirëpo, asnjëri nga të gjithë ata që e kanë qënë në krye të këtij institucioni nuk ia kanë dalur që të konsumojnë këtë të drejtë kushtetuese deri më tani plotësisht. Kuptohet për arsyeje të ndryshme.

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, sepse Gjykata Kushtuese pat konstatuar se i njëjti më mbajtjen në mënyrë paralele edhe të detyrës së shtetit edhe atë LDK-së e kishte cenuar unitetin përfaqësues politik. Kjo Gjykatë po ashtu, në rastin Pacolli, pat konstatuar se procedura e zgjedhjes së Behxhet Pacollit në krye të shtetit kishte rënë në kundërshtim me parimet normative konstitucionale në vend.

E vetmja që e kishte përfunduar një mandat të plotë në këtë detyrë ishte, ish-presidentja Atifete Jahjaga. Mirëpo, pas skadimit të mandatit pesë vjeçar mungonte konsensusi politik për t’ia vazhduar edhe një mandat tjetër. Vendin e saj e zuri ish-Presidenti Thaçi. Natyrisht, ky i fundit nuk e përfundoi atë për arsyeje që dihen nga të gjithë ne.

Kështu, sipas të gjitha gjasave presidentja aktuale, Vjosa Osmani do të mund ta përfundojë të plotë mandatin e parë, por me shansa shumë të vogla për një të dytë. Sepse, përpos opozitës, tashmë as partia aktuale në pushtet nuk ka vullnet për ta mbështetur.

Ky fakt dëshmon se megjithatë pozita e presidentit është peng i raporteve politike të forcave parlamentare, dhe se më ndryshimin e këtyre të fundit lëkundet edhe ai pozicion. Ndërkohë, deri më tani ka munguar një konsensus ndërmjet forcave politike për një personalitet që do të ishte i pranuar gjerësisht, e rreth të cilit do të mund ndërtohej një pajtim se ia vlen të ushtrojë këtë detyrë për dy mandate ashtu edhe siç e parasheh kushtetuta.

Të ngjashme